Ndonëse problemet organizative dhe ato financiare vazhdojnë të jenë akoma prezent në basketbollin shkodran, Shoqata e Basketbollit Vllaznia ka bërë të mundur që në harkun kohor të pak javëve të jetë aktive në merkato duke veshur kuqeblu dy basketbollistë amerikanë.
Fillimisht ishte Craig Sabb që u bë pjesë e Vllaznisë, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme në dispozicion të trajnerit Damian Bekteshi është vënë edhe amerikani tjetër, 25 vjeçari Mckyron Endrel, me një gjatësi të admirueshme prej 1 metër dhe 92 cm.
Kontakti i parë me trajnerin Damian Bekteshi dhe kryetarin e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, Bledar Gjeçaj ka qënë paraditen e së martës, kur Mckyron Endrel ka zhvilluar seance e parë pak a shumë individuale me një pjesë të vogoël të skuadrës, ndërkohë mbrëmjen e djeshme, ai është bashkuar me skuadrën në një seancë të plotë nën drejtimin e trajnerit Bekteshi.
Kërkesës së gazetarëve për të folur për medien, amerikani Mckyron Endrel, iu përgjigj pozitivisht duke pohuar se ftesen për t’u bërë pjesë e Vllaznisë e priti me shumë kënaqësi.
“Mbërritja në Shkodër u shoqërua me një mikpritje të veçantë duke më hapur dyert që të bëhen pjesë e skuadrës së këtij qyteti. Vllazninë e kam ndjekur, sidomos në katër ndeshjet e para të sezonit dhe kam krijuar një përshtypje për lojën e kësaj skuadre.”, tha amerikani kuqeblu, Mckyron Endrel.
Duke folur për skuadrën, Mckyron Endrel, tha se “Vllaznia është një ekip i mirë, ka potencial shumë, dhe mendoj se mund t’ia arrijmë për të marrë rezultate pozitive.”
Sa i përket CV-së së tij, Endrel, bëri të ditur se karriera e tij në Amerikë ka qënë me disa skuadra, ku ekipi i fundit që është aktivizuar është Lincoln College.
“Më vjen mirë që tek Vllaznia gjeta edhe një tjetër basketbollist që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është diçka e mirë që jemi bashkë në gjirin e Vllaznisë. Pozicioni im që luaj në fushën e lojës, është 1 dhe 2. Sot iu bashkova skuadrës në stërvitje dhe mendoj se jam gati të luaj që në ndeshjen e radhës në formacionin e Vllaznisë duke i premtuar tifozërisë që do të jap më të mirën time në fushën e lojës për t’i sjellë sa më shumë fitore Vllaznisë.”, mbylli prononcimin e tij për medist, amerikani i dytë që i bashkohet Vllaznisë, Mckyron Endrel
Nga sa bëhet e ditur, në ndeshjen e radhës të Vllaznisë së basketbollit meshkuj është ajo kundra Flamurtarit, e vlefshme për javën e gjashtë e kategorisë së Superligës, e cila do të luhet mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duke filluar nga ora 19:00, ku pritet të bëjë debutimin me uniformën kuqeblu edhe amerikani Mckyron Endrel.
(Video) Prononcimi i basketbollistit amerikan, Mckyron Endrel, i cili që ditës së djeshme është bërë pjesë e Vllaznisë., si dhe pamje nga seanca e parë stërvitore e tij me ekipin kuqeblu.
Gaspër MARKU