Një barazim që nuk vlen për asnjërën skuadër, mund të konsidereohet ai që u regjistrua pasditen e sotme në stadiumin, “Kukës Arena, mes Kukësit vendas dhe Teutës, mysafire.
Përgjithësisht një 90-të minutësh i varfër në raste dhe pa ritmin e dukur që kërkon një ballafaqim i tillë i kategorisë superior. Sfida e luajtur për llogari të javës së 15-të, pati një të veçantë për skuadrën vendase, e cila që nga minuta e 37-të mbeti me 10 lojtarë në fushën e lojës.
Kjo, pasi, futbollisti i kuksianëve, Franci Lala doli me karton të kuq pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Arifit. Durrsakët e Edi Martinit edhe pse më shumë se 1 orë luajtën me një lojtar më shumë, sërish nuk mundën të gjenin golin e fitores.
Përfundimisht, 0 me 0, në një barazim, që duke pasë parasysh pozitat e të dyja skuadrave në renditje, duket se nuk ka lënë shije të mirë tek asnjëra prej skuadrave përkatëse. Në këtë mënyrë, me pikën e marrë, Kukësi ngjitet në kuotën e 16 pikëve në vendin e 7-të, ndërsa durrsakët kanë grumbulluar 13-pikë dhe ndodhen në vendin e fundit në klasifikim.