Mbrëmjen e së mërkurës korrën suksesin e merituar duke fituar dy medalje në “Mitingun Ndërkombëtar të Beogradit 2021” për sallat e mbyllura, Izmir Smajlaj Ari në Kërcim së Gjati dhe Burraj Argjendi në vrapimin 400 metra. Të shoqëruar nga trajneri dhe njëkohësisht Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikkës, Gjergj Ruli, paraditen e së enjtes përmes Pikës Doganore të Hanit të Hotit, dyshja e talentuar shkodrane mbërriti në Shkodër, ku edhe përcollën emocionet e asaj që përjetuan në kryeqytetin serb duke triumfuar në dy garat kryesore të aktivitetit ndërkombëtar.
Gjergj Ruli(Trajner-President i FSHA)
“Me shumë dëshirë zgjodhëm që stacioni i parë nga udhëtimi Serbi-Shqipëri të ishte Shkodra, vendlindja e dy kampionëve, dy talentëve që kanë bërë emër dhe kanë nderuar atletikën shqiptare, Shkodra është djepi i atletikes për gjithë Shqipërinë. Fillimisht do të thoja që ne jemi shqiptarë dhe garat e Beogradit i supervlerësojmë dhe i shikojmë pak me pompozitet. Izmiri bëri detyrat në mënyrën më perfekte duke marrë medaljen e Artë dhe vendin e parë. Edhe Franko bëri një garë të mrekullueshme, por fatkeqësisht në finish pati një kontraktim që për të qindtat të sekondit e mori rumuni vendin e parë. Megjithatë, këto që të dy janë atletë të mëdhenjë, nga Stambolli që udhëtuan në Beograd për dy ditë gara nuk është pak për nga lodhja të marrësh këto rezultate. Ne nuk jemi në kushtet e kundërshtarëve, prandaj them se këto janë heronjë. Stadiumi i Shkodrës nuk ka pistë, sterviten nëpër rrugica atletët, po ashtu edhe Izmiri, por faleminderit nëna natyrë na ka bërë të përshtatemi shumë më mirë. Do të falenderoja trajnerin e Frankos, Bruno Rrotanin, një trajner shumë i talentuar dhe shumë punëtor, edhe stafin që drejton atletiken shkodrane, Albert Marashin, Oltion Lulin që nxjerrin shumë talente. Pa harruar edhe të ndjerin Vildan Tufi që e respektoj dhe përulem përpara tij për punën e mirë që ka bërë me atletët shkodranë dhe me Izmirin. Unë e kam thënë që më ka lënë kujtim një bylyzyk shumë të bukur me Izmirin dhe do të mundohem ta kultivoj këtë sportist sa më mirë. Ne së bashku kemi marrë një objektiv që të kapim rezultatin 8.30 metër, dhe themi se do ta realizojmë. Kjo garë duhej të ishte mbi 8.15 me rekord kombetar, por patëm shumë frikë se mos nxitoheshim dhe bënim ndonjë faull dhe të humbnim vendin e parë.
Franko Burraj është një supertalent, është një Izmir junior për Shkodrën që shumë shpejt shkodranët dhe shqiptarët do të mrekullohen me këtë djalë. Është 23 vjeç, është supertalent. Do t’i bëjë thirrje kryetares së Bashkisë që ta shikojë me prioritet këtë atlet si margeritarin e Shkodërs. Është atlet që vlen, të paguhet, vlen të mbahet, vlen të ruhet, të konservohet sepse është talent, është talent, është talent! Kjo është shtëpia e atletikes shqiptare, kështu që jam shumë i lumtur që stacionin e parë të ndalesës nga Beogradi në Shqipëri e bëra këtu në Shkodër, dhe mund të them se na sjellë fat!
Izmir Smajlaj(Atlet)
“Me thënë të drejtën, edhe rivalit tim, serbit, i kishin vendosur një ultimatum, se në qoftëse mund Izmirin do të shkosh në Europian. Por, është hera e katërt, që unë sa herë bëj garë në Beograd e fitoj, kështu që e kam nisur shumë mbarë vitin 2021 dhe shpresoj ta përfundoj mbarë. Jam shumë i kënaqur me rezultatin, pamvarësisht se prisnim edhe më shumë, por kishim edhe një kohë shumë të shkurtër rikuperimi nga garat e Stambollit në Beograd. Mua tashmë më pret një javë shumë e fortë, Kampionati Europian që zhvillohet me datën 4-7 mars në Poloni, ku shpresoj të futem në zonën e medaljeve. Besoj se do të jetë viti im ky 2021, sepse jam riukurepuar në masën 100% nga dëmtimi që kam pasë. Besoj se në priudhën e veres do të jem mbi 8.20 dhe 8.30metra në Kërcim së Gjati duke realizuar edhe ëndrrën që kemi pasë edhe me profesor Vildan Tufin.
Franko Burraj(Atlet)
“Po, jam shumë i kënaqur, rezultati ishte shumë i mirë, gara ishte shumë e vështirë sepse kishim konkurencë shumë të madhe. Tani na del për detyrë të përgatitemi për Kampionatin Europian, të thejmë rekordin kombëtar dhe të futemi në zonën e medaljeve. Konkurenti më i vështirë në këtë garë për mua ishte rumuni, me të cilin patën rivalitetin më të madh në finish. Krahas përgatitjes me trajnerin tim personal Bruno Rrotani, bashkëpunimi edhe me Presidentin e FSHA Gjergj Ruli dhe kolegun tim Izmir Smajlaj, është një përvojë më shumë për mua që të rriten në formën e duhur sportive. Marrja pjesë në këto gara, si Mitingu i Serbisë, Ballkaniada dhe po ashtu edhe Kampionati Europian, më japim më shumë pjekuri për garat e ardhshme.”
G. MARKU