Supersfida mes Partizanit dhe Skënderbeut nuk ka prodhuar fitues duke u mbyllur me rezultatin 1-1, e vlefshme për javën e 16-të në Superiore. Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj, foli për MCN TV:
“Kemi nevojë të gjejmë stabilitet. Patëm dëmtime të rënda, sot u rikthye Sota dhe jam i kënaqur. U kënaqa edhe me paraqitjen në mbrojtje. Ndeshja kishte vetëm 3 raste, pa shumë histori. Ne vazhdojmë sëmundjen e vjetër që shpërdorojmë shumë, por të paktën nuk kemi luhatje defensive. Jam i kënaqur me ekipin pasi nuk është e lehtë të zhvillosh ndeshje çdo 3 ditë.
Kur ka raste flagrante është pjesë e kualitetit, por edhe për meritë të portierit. Cara pati rast me portën bosh, goditëm shtyllën. Nuk duhet ta ulim vëmendjen. Nëse kemi patur oshilacione këto javë kanë qenë probleme në defensive dhe sot jam i kënaqur me këtë repart.
Lojtarët nga stoli dhanë maksimumin, futbolli që u bë në pjesën e dytë nuk ka shumë për të shtuar. Me pak më shumë agresivitet mund të merrnim fitoren. Kishim raste me Rrapaj, Mehmeti e Da Silva i cili u fut për të bërë diferencën. Në aspektin futbollistik jam i kënaqur. Do të dalim nga kjo gjëndje nëse rregullojmë shpërdorimin e rasteve.
Kemi 5 barazime që vetëm 3 mund të themi janë okej për shkak të kontigjentit që kishim. Por, sot duhet ta fitonim ndeshjen. Sot u duk prezenca e një lideri si Sota në mbrojtje që na mbajti lart. Pjesën më të madhe të lojës bëmë atë që planifikuam. Kur të mungojnë liderët në fushë, është e vështirë.
Mba luajti 90 minuta me Teutën dhe sot nuk luante më shumë se 45 minuta pasi sapo vjen nga një dëmtim.”