Futbolli verior me një skuadër më pak. Për hirë të së vërtetës, Veriu Shqiptar nuk është se ka qënë fort i përfaqësuar në kampionatet kombëtare të elitës së futbollit. Vllaznia, kryeqëndra e Rajonit Verior ka qënë për vite me radhë skuadra e zemrës, jo vetem për shkodranët por në përgjithësi për tërë Veriun Shqiptar. Me Besëlidhjen, Korabin, Burrelin dhe Tërbunin që kanë pasur përvoja pozitive edhe në Superligë, për të mbërritur tek Kukësi që bëri histori dhe vazhdon të jetë aktualisht në elitë, përfshirë edhe Veleçikun e Koplikut, Adën e Velipojës, Mirditën, Klosin, Bulqizën, etj, Veriu Shqiptar nisi të marrë masivitetin e duhur.
Por, fatkeqësisht ka edhe lajme aspak të mira, kur një punë e nisur në mënyrën më të mirë siç ishte ringritja e skuadrës mirditore duke konkuruar në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së dytë, krejt befas lihet në mes të rrugës. Arsyet, të pakten për atë çfar thuhet nga vetë përfaqësuesit e klubit, janë me të vertetë absurde. Skuadra, e cila në të shumtën e rasteve është edhe krenaria apo edhe pasaporta e qytetit, nuk ka financat e duhura për të udhëtuar nga Mirdita deri në Shënkoll për të zhvilluar ndeshjet zyrtare.
Kështu ka ndodhur për javën e 12-të, kur në kalendar Mirdita kishte për t’u ndeshur me Adën e Velipojës, por çuditërisht skuadra mirditore nuk është paraqitur fare në ndeshje. Një gjë e tillë, sipas rregullores, ka detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit t’ia humb ndeshjen Mirditës duke ia dhënë 3 pikëshin në tavolinë Adës së Velipojës.
Njoftimi zyrtar i KF Mirdita
“Kolapsi që ka përfshirë vëndin prej një viti bëri që ekipi ynë të japë dorëheqjen nga pjesëmarrja në kategorinë e dytë. Për arsye financiare ekipi nuk do marrë pjesë më në ndeshjet në vijim. Në kalendar kishim Adën e Velipojës ku ndeshja do zhvillohej në Shënkoll. 5 ndeshjet e mbetura si ekip pritës kushtonin diku tek 1 milionë lekë të vjetra. Të vjen keq më shumë për tifozët dhe njerzit që ndoqën ekipin që nga fillimi e deri më sot. Një falenderim për ata që kontribuan në ndërtimin e ekipit, dhe për ata që ishin në fushën e lojës. Të vjen shumë keq që ekipi të shkrihet në këtë moment. Shpresojmë që kohë të mira do të vijnë së shpejti dhe për këtë jemi të sigurtë, sepse ka njerëz që e duan vërtetë futbollin, dhe kontribuojnë me shpirt përveç anës financiare. Kontribuesin e kishim në dorë dhe nuk ditëm t’a mbanim! Dhe njëherë faleminderit për të gjithë ata që morën pjesë gjatë këtyre viteve nën stemën e KF Mirdita!”, citohet në njoftimin zyrtar të KF Mirdita
Një situatë e tillë duhet patjetër të shqetësojë dhe preokupojë seriozisht qeverisjen vendore të Mirditës, por edhe Federatën Shqiptare të Futbollit për ndjekjen dhe zgjidhjen e problemit në fjalë në mënyrë që mirditorëve të mos u mohohet përfaqësimi me skuadrën e tyre në kampionat.
Gaspër MARKU