Vllaznia e futsales është mundur me vetëm një gol diferencë nga Tirana kryesuese e kampionatit kombëtar të futsales. Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ka përfunduar me rezultatin 8 me 9 në favor të Tiranës.
Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë futsal, Arben Xhaferi thekson se ishte një humbje që “djeg”, e cila u vendos me vetëm një gol diferencë. Sipas tij përballja me Tiranën kryesuese dhe kampione në fuqi ishte e vështirë.
Megjithatë, Xhaferi pranoi se skuadra e drejtuar prej tij bëri maksimumin në fushën e lojës, porn ë një farë mënyre, mungesa e kapitenit Senad Lekaj, si dhe problemet e dëmtimeve të disa futbollistëve kuqeblu, por edhe gabimet e vetë lojtarëve të tij, bënë që kjo ndeshje të mos fitohej.
Kjo ishte ndeshja e fundit në shtëpi dhe e parafundit e krejt kampionatit, ndërkohë që takimi i javës së fundit të kampionatit për Vllazninë do të luhet në transfertën e Vlorës, ku Xhaferi premton fitore.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Vllaznisë futsal, Arben Xhaferi mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE)