Vllaznia luan pasditen e së mërkurës çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë duke pasur përballë Korabin e Peshkopisë. Fakti që është një skuadër e kategorisë së parë, në letër duket një përballje e lehtë për shkodranët, por për Zv.trajnerin kuqeblu, Elvis Plori, Vllaznia nuk do të ketë asnjë nënvlefrësim dhe do të futet në fushën e lojës për të dhënë maksimumin. Sipas tij, fitorja dhe kualifikimi në gjysëmfinale është një detyrë që duhet kryer me patjetër duke shërbyer kësisoj edhe si një kthesë pozitive pas gjithë atyre rezultateve negative të javëve të fundit. Deklarata e Elvis Plorit u dha sot gjatë konferencës për shtyp që KF Vllaznia organizoi 24 orë përpara ndeshjes zyrtare, e cila do të luhet të mërkurën në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.00.
“Të them të drejtën nuk ka qenë një ecuri si në dy fazët e para. Normalisht që çdo skuadër ka oshilacionet e veta, por ne prisnim të ktheheshim pak më shpejt. E patëm këtë mundësi të ktheheshim që në ndeshjen me Teutën, por nuk patëm fatin me vete. Mund të them se në këto ndeshjet e fundit nuk kemi bërë lojëra të dobëta, por kemi patur disa momente të vështira dhe si rrjedhojë pësuam ato gola që na çuan në një ngarkesë më të lartë psikologjike. Ne kemi shpresë se do të dalim nga kjo situatë sepse ne ishim që e sollëm Vllazninë deri këtu dhe kuptohet që ne duhet ta nxjerrim nga gjendja ku ndodhet. Më mirë se e dimë ne se çfarë force kanë këto djem, nuk e di askush tjetër. Kemi nxjerrë mësimet e duhura, kemi marrë përsipër gabimet të gjithë bashkë dhe mendoj se do të kthehemi shpejt aty ku duhet.
Të gjitha ndeshjet tashmë janë të rëndësishme. Edhe kupa është shumë e rëndësishme sepse është një objektiv i Vllaznisë. Ky klub gjithmonë ka objektiv kupën dhe kampionatin, kështu që mendoj se e kemi një mundësi të mirë për të rikthyer një trofe në Shkodër dhe duhet të përqendrohemi 100% tek ndeshja e Kupës dhe të mos kemi fare nënvlerësim. Ndërsa për ndeshjen me Kastriotin, është mundësia më e mirë për të bërë kthesën në kampionat që prej së dielës.
Korabi sigurisht që vjen me objektiva në Shkodër dhe është një skuadër që ka bërë mirë deri tani si në kampionat ashtu edhe në kupë ku ka eliminuar Tiranën. Në kupë ka gjithmonë surpriza të tilla, por edhe ne jemi në një pozicion ku nuk mund të neglizhojmë për asnjë moment. Duhet të fokusohemi dhe të japim maksimumin tonë për të mos e diskutuar fitoren e ndeshjes. Diferencat do të jenë në fushë por diferencë duhet të bëjë edhe ana psikologjike. Duhet të jemi më lart në këtë drejtim në mënyrë që të marrim maksimumin nga lojtarët tanë. Kemi vuajtur në sulm në këto ndeshjet e fundit, ndonëse kemi bërë shumë punë përpara por na ka munguar ai lojtari që e merr topin dhe e çon në rrjetë. Ka ndikuar ana psikologjike tek lojtarët, por ndoshta kanë qenë edhe të pafat se ka patur goditje shtylle e raste të tjera të pastra. Tani duhet të jemi të qetë. Sulmuesit kanë nevojë për qetësi sepse pa këtë gjë, skuadra vuan.”, u shpreh numri dy i pankinës kuqeblu, Elvis Plori.