Teuta-Vllaznia 97-95
(17-12, 30-28, 23-23, 27-32)
Është luajtur mbrëmjen e sotme ndeshja e prapambetur gjysmëfinale e fazës Play Off në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit Teuta-Vllaznia në basketboll për meshkuj, e cila tre ditë më parë u ndërpre në fundin e pjesës së parë për shkak të problemeve teknike të kohëmbajtjes së ndeshjes.
Referuar ndeshjes së parë, rezultati në fundin e pjesës së parë të kësaj ndeshje ishte 47-40, dhe sipas vendimit të FSHB-së, kjo ndeshje u luajt sot pikërisht për 20-të minutat e pjesës së dytë përsëri në të njëjtin pallat sporti, “Ramazan Njala” të Duurësit.
Duke luajtur në transfertë, përballë një tifozërie të zjarrtë durrsake, ndonëse presioni psikologjik ishte në anën e kuqebluve, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi, bëri një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e sotme.
Perioda e parë ndeshjes së sotme dhe e treta sipas radhës me ndeshjen e tre ditëve më parë, mbyllet në barazim 23-23. Ndërkohë, dhjetë minutat e periodës së katërt janë nën diktatin e Vllaznisë, e cila arrin ta fitojë atë me rezultatin 27-32. Një avantazh që nëse disa vendime të dyshimta nga ana e arbitrave në çastet e fundit në dëm të Vllazisë do të ishin më të kursyera, mund dhe duhej të ishte më i madh, të paktën për ta çuar ndeshjen në shtesë.
Kështu, edhe pse fitoi ballafaqimin e sotëm, 50-55, avantazhi i durrsakëve në pjesën e parë të ballafaqimit të tre ditëve më parë që u ndërpre, 47-40, i jep fitoren e krejt ndeshjes Teutës me rezultatin e përgjithshëm 97-95.
Në këtë mënyrë, pas tre takimeve, Teuta merr kryesimin 2 me 1, me dy ndeshje të fituara në “Ramazan Njala” dhe një të humbur në “Qazim Dervishi”. Sipas kalendarit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, dueli i katërt gjysmëfinal mes Vllaznisë dhe Teutës do të luhet mbrëmjen e së enjtes së datës 9 maj 2024 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duke filluar nga ora 19:00.
Një ndeshje që ia vlen kjo për t’u ndjekur, jo vetem për spektaklin që pritet të dhurojnë dy skuadrat në fushën e lojës, por shumë e rëndësishme është pjesëmarrja sa më e madhe e tifozëve shkodranë, të cilët janë një armë shumë e fortë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi. Një fitore e Vllaznisë, ashtu siç kuqeblutë e realizuan edhe në ndeshjen e dytë të luajtur po në “Qazim Dervishi”, rezultati i ndeshjeve barazohet në 2 me 2, që do të thotë se fati i skuadrës që shkon në finale përcaktohet me ndeshje të pestë. Ndërkohë, që nëse durrsakët arrijnë të dalin fitues në ndeshjen e së enjtes, me avantazhin re ndeshjeve 3-1, Teuta shkon në finalen e kampionatit të fazës Play Off.