Stadiumi kombëtar “Air Albania” pritet të ketë mbrëmjen e sotme një numër rekord tifozësh shkodranë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës për gjysmëfinalen e “Final 4” ndaj Egnatias.
Krahas atyre shumtëve që kanë udhëtuar posaçërisht nga Shkodra, si dhe të tjerëve që jetojnë në kryeqytet dhe qytetet e tjera të Shqipërisë, të shumtë janë edhe ato shkodranë që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë zbarkuar në Tiranë për të mbështetur Vllazninë.
Njëri prej tyre është edhe Ermir Spahija, që ka mbërritur nga Belgjika, ndërkohë që edhe shumë të tjerë kanë mbërritur nga shtete të ndryshme europiane, madje edhe deri në kontinentin amerikan.
Entuziasmi i Spahisë dhe i shumë tifozëve të tjerë është për fitore të Vllaznisë me Egnatian dhe më pas marshimi drejt fitimit të titullit kampion.
“Kam ardhë nga Belgjika, jam edhe shumë e shumë të tjerë duke mbërritë në kohën dhe orën e duhur në “Air Albania”. Kam besimin e plotë se këtë herë, Egnatian kena për të përzhitë. Është moment i jonë, ka ardhur edhe moment i jonë, dhe këtë do ta tregojnë djemtë tanë kuqeblu në fushën e lojës për të gëzuar tanë këtë tifozëri shkodrane që do të jetë në “Air Albania”. Nuk më intereson sesa gola bahen dhe sesi bahen, qoftë edhe një gjysmëgoi, vetëm të kalojnë atë vijën fatale që Vllaznia të fitojë dhe të shkojmë në finale përballë Partizanit. Kam mendimin se këtë Partizanin nuk e kemi shumë frikë. Sado mirë të jenë ato, ne pak më dobët, por prap i mundim, nuk e di, kam një besim shumë të madh se shpallemi kampion këtë sezon futbollistik për të sjell në Shkodër titullin e dhjetë kampion që na mungon prej 23 vitesh”, shprehet ndër të tjera për RTSH Shkodra, supertifozi kueblu Ermir Spahija me banim në Gent të Belgjikës, por që ashtu si edhe shumë bashkëqytetarë të tjerë shkodran, ai do të jetë në tribunat e Air Albania” për të mbështetur fuqimisht skuadrën e tij të zemrës, Vllaznia.
Gaspër MARKU