Saturday, November 23, 2024

Vllaznia e koshit nuk ia del në Durrës, mundet nga Goga Basket 80-72

Lexo

Ashtu siç pritej, kryendeshja e javës së tetë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Superligën shqiptare të meshkujve, Goga Basket-Vllaznia dhuroi momente emocionuese. Sfida e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt-Durrës ka nxjerrë fituese skuadrën vendase, e cila nga ana e saj regjistron fitoren e tetë radhazi duke vijuar të kryesojë e vetme tabelën e klasifikimit. 80-72 është rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje në favor të skuadrës durrsake . Por, për hirë të së vertetes, ky rezultat dhe ky avantazh në favor të skuadrës vendase u fiksua në perioden e katërt, ndërkohë që në tre të mëparshmet rivaliteti dhe konkurenca ka qënë tejet e madhe. Madje, në disa momente ishte edhe Vllaznia që e kryesoi takimin.

Perioda e parë ka nisur e ekuilibruar, ndërsa Vllaznia ka kryesuar deri në 12-13. Por në përfundim 16-13 për skuadrën e drejtuar nga trajneri Melsin Lazimi. Kuqeblutë e koshit vazhdojnë të luajnë mirë edhe në periodën e dytë, në përfundim të së cilës rezultati është në favorin e saj me shifrat 19-20. Gjithsesi, nisur nga epërsia prej tre pikësh të periodës së parë, është Goga Basket që e mbyll pjesën e parë në avantazh me shifrat 35-33. Rivaliteti, emocionet dhe spektakli në këtë ndeshje vazhdon të jetë pranishëm edhe në periodën e tretë, për të cilën flet vetë rezultati i barabartë 18-18. Barazim ky që i mjafton Goga Basket të ruajë në tërësi avantazhin prej dy pikësh, 53-51.

Një ndeshje, e cila e tregon qartazi rritjen e ndjeshme të skuadrës kuqeblu, që në krahasim me javët e mëparshme dhe konkretisht me sfidën e fazës së parë të luajtur në “Qazim Dervishi” të Shkodrës ku është mundur me shifra të thella nga Goga Basket, në ballafaqimin e së premtes forcat janë krejtësisht të barabarta. Por, pikërisht në sprintin final të periodës së katërt, atëherë kur pritej që Vllaznia “amerikane” të finalizonte me sukses fitoren e kësaj ndeshje të rëndësishme, formacioni i teknikut amerikan Mattheë David Jones bie në gabime. Gabime këto që shfrytëzohen nga skuadra vendase, e cila nuk fal duke realizuar me shpejtësi pikët e duhura që i japin fitoren e krejt ndeshjes me rezultatin 80-72.

Fitore kjo, e teta radhazi në tetë javë kampionat që e mbajnë Goga Basket me meritë në krye të renditjes, ndërkohë që kuqeblutë e koshit, pas katër fitoreve radhazi ndalen duke u rikthyer përsëri tek humbja. Megjithatë, ka vend për vlerësime, pasi siç u pa në fushën e lojës, Vllaznia e koshit për meshkuj tashmë ka ardhur dhe në javët në vazhdim, patjetër që do të ketë rolin e vet kryesor në skuadrat që synojnë kreun e renditjes.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img