Kuqeblutë i kanë dhënë fund përgatitjeve anti-Laçi dhe duket se skuadra është krejt gati për ballafaqimin e së shtunës në transfertë me skuadrën rivale që e ka vetëm dy pikë më pak në renditje. Një sfidë kjo shumë e rëndësishme për fatet e të dyja skuadrave, të cilat për koinçidencë në harkun kohor të pesë ditëve do të ndeshen dy herë kampionat dhe Kupë.
Për trajnerin kuqeblu, Thomas Brdariç pozitive për Vllazninë është se me përjashtim të Imamit e ka në dispozicion të gjithë kontigjentin e futbollistëve. Sipas tij, skuadrës i kanë shërbyer për mirë edhe dy seancat stervitore të zhvilluata këtë javë në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, ndaj është optimist se këtë herë Vllaznia do të marrë patjetër pikë në këtë përballje.
“Jam shumë i kënaqur, kemi punuar shumë këtë javë. Jam shumë i kënaqur prej ekipit dhe nesër besoj se do të japim maksimumin. Vetëm Imami ka probleme fizike, pjesa tjetër e ekipit është e shëndoshë. Kam shumë lojtarë, jam i kënaqur me gjendjen e tyre. Kemi qenë me fat që kemi bërë dy stërvitje në stadium, kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Imeri nuk mungon ndaj Laçit, ai është stërvitje me skuadrën, do e shoh gjendjen e tij fizike dhe do bisedoj me të. Çdo lojtar nesër duhet të japë maksimumin ndaj Laçit, sepse është një ndeshje shumë shumë e rëndësishme për ne. Është i vetmi ekip të cilit nuk kemi mundur t’i marrim pikë. Nesër do e provojmë t’i marrim pikë, do të jetë dita jonë që do provojmë t’i marrim pikë Laçit.”, theksoi në konferencën për shtyp dhënë sot me gazetarat shkodranë, trajneri Brdariç.
“Në lidhje me atë që janë dy ndeshje radhazi ndaj Laçit, për Kampionat dhe Kupë, them se jemi të përqendruar te ndeshja e kampionatit. Më e rëndësishme është loja e nesërme ndaj Laçit. Gjendja fizike nuk është e keqe, por jemi të fokusuar te ndeshja nesërme e kampionatit. Dëshira është t’i fitojmë të dy ndeshjet, në kampionat dhe Kupë. Përgatitja jonë është e mirë, gjendja është pozitive, kemi shumë detyra përpara, i kemi eliminuar disa probleme, tani të shohim se si do të ecë skuadra“, përfundoi konferëndcën për shtyp, gjermano-kroati i pankinës kuqeblu, Thomas Brdariç.