Të mërkurën ora 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës luhet njëra nga dy takimet gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Laçi”, ndërkohë që në të njëjtën orë, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit luhet sfida tjetër gjysëmfinale, Teuta-Skënderbeu.
Në prag të ballafaqimit të “Loro Boriçit” Vllaznia-Laçi, një ditë përpara kësaj ndeshje ka folur trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.
“Ndaj Laçit duuhet të përballemi me të njëjtën ego, është e vetmja mënyrë se si mund të përballesh me këtë skuadër. Duhet grintë dhe agresivitet, strategjia që përdorëm në Laç ishte e duhura. Tani luajmë në “Loro Boriçi” dhe është një ambjent ndryshe dhe fushë më e madhe. Duhet të bëjmë diçka më ndryshe dhe jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Sa i përket mungesave, duhet të shohim në seancën e fundit kush do të jetë dhe kush jo. Lojtarët janë të motivuar dhe do të hedh në fushë ata që janë 100% gati dhe që janë të aftë për të na dhënë fitoren. Kjo është një mundësi për Europën. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar dhe nuk do e lëmë këtë mundësi të na ikë. E kuptoj që në Shkodër është e rëndësishme të shkojmë në Europë dhe ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, në Kupë dhe kampionat.”
“Edhe pse janë tre mundësi, kohë e rregullt, shtesë dhe penallti, ne hyjmë në fushë me mendimin për ta mbyllur për 90 minuta. Në ndeshje do shikohet, pasi luajmë me një ekip të forte, luajmë në shtëpi dhe kjo na jep më tepër motivim.”
“Në lidhje me atë që nëse shkon në penallti dhe se Sherri ka aftësi në këtë drejtim, unë shoh ekipin tim dhe kemi mundësi të shënojmë. Duhet besim, i kemi cilësitë të shënojmë dhe të mbrohemi për të mos i lënë asgjë fatit në dorë. Do mundohemi ta mbyllim në mënyrën më të mirë. E di që Sherri ka luajtur këtu dhe rikthehet në Shkodër. Ai ka shumë presion mbi shpatulla, sepse përballet me ish-ekipin, jam i bindur se do t’i shënojmë nesër”, është shprehur trajneri kuqeblu i Vllaznisë, Thomas Brdariç në konferencën për shtyp dhënë në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.