Është mbyllur me sukses Kampionati Lokal i Shahut “Shkodër 2024”. I mbajtur për dy ditë me radhë me pjesëmarrjen e shahistëve të grupmoshave të ndryshme, nga 8 vjeçarë deri tek brezi i shahistëve të rritur, kampionati i organizuar nga Unioni i Shahistëve të Veriut “Rozafa 07”, pati në konkurim dy disiplina sportive, “Rapid” dhe “Blic”.
Në të dyja disiplinat, ndeshjet u shoqëruan me rivalitet, ku konkurenca për shpalljen e fituesve nga turet eleminatore deri në finale, ishte e madhe.
Në përfundim të aktivitetit, është organizuar edhe ceremonia e mbylljes, ku sekretari i Unionit të Shahistëve të Veriut, “Rozafa 07”, Eduard Hoxha së bashku me kryegjyqtarin Benard Leka, kanë shpallur më të mirët për të dy disiplinat e konkurimit.
Në disiplinën “Rapid”, vendin e parë e ka merituar kampioni i vitit të kaluar Sadi Nezaj. Në vend të dytë dhe të tretë në këtë disiplinë janë renditur Gaspër Elezi dhe Behar Puka. Në disiplinën “Blic”, vendi i parë ka shkuar për Erjon Harushën, ndërkohë që në vend të dy është renditur Behar Puka dhe në të tretin Sadi Nezaj.
Organizatorët kanë vlerësuar me diplomë edhe tre konkurues të kampionatit, sipas grupmoshave përkatëse. Kështu, Zija Hoxha është vlerësuar si shahisti më i vjetër i kampionatit, ndërsa shahistëve Meriza Kraja dhe Rajan Topçija i janë dorëzuar diplomat, si shahistët më të rinjë, për femra dhe meshkuj.
Disiplina “Rapid”
Vendi i parë-Sadi Nezaj
Vendi i dytë-Gaspër Elezi
Vendi i tretë-Behar Puka
Disiplina “Blic”
Vendi i parë-Erjon Harusha
Vendi i dytë-Behar Puka
Vendi i tretë-Sadi Nezaj
Grup-moshat
Shahisti më i vjetër-Zija Hoxha
Shahistja më e re-Meriza Kraja
Shahisti më i ri-Rajan Topçija
(Video) Ceremonia e mbylljes së Kampionatit Lokal të Shahut, “Shkodër 2024”, organizuar nga Unioni i Shahistëve të Veriut “Rozafa 07”.