Një lajm i mirë vjen nga Vllaznia e basketbollit meshkuj. Bëhet fjalë për një rikthim të mundshëm në Shkodër të basketbollistit të talentuar Veton Gjeçaj. Siç është bërë me dije më herët, në fillim të sezonit 2024-2025, shtatlarti Gjeçaj u zhvendos nga Shkodra në Prizren të Kosovës, duke iu bashkuar ekipit të KB Bashkimi.
Largimi i tij nga Vllaznia krijoi një boshllëk në radhët e kuqebluve, por, me insistimin e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, bëhet me dije se presidenti Sokol Dibra ka arritur të gjejë mirëkuptimin me drejtuesit e klubit prizrenas për ta rikthyer Gjeçajn në Shkodër për pjesën e dytë të sezonit, dhe më pas ai të ribashkohet përsëri me KB Bashkimi në Kosovë.
Rikthimi i Gjeçajt e gjen Vllazninë e basketit meshkuj në një moment jo të duhur psikologjik pas asaj nisje jo të mirë të vitit 2025, teksa u mund në shtëpi nga Teuta me rezultatin 91-96, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 11-të të Superligës së basketit meshkuj.
Për momentin, Gjeçaj gjendet në Kosovë pranë skuadrës së tij KB Bashkimi, por falë negociatave të presidentit Sokol Dibra me drejtuesit prizrenas, pritet që në mesjavë t’i bashkohet skuadrës, e cila po përgatitet për ndeshjen e transfertës me Tiranën.
Gjithnjë nga burimet pranë kampit kuqeblu por edhe të vetë sportistit, Veton Gjeçaj do të jetë dhurata e parë për trajnerin kuqeblu Eni Llazani në këtë fillim viti 2025. Madje, lajmi i mirë shkon edhe më tej, kur Veton Gjeçaj është planifikuar të jetë pjesë e Vllaznisë në ndeshjen e fundjavës ndaj Tiranës, sfidë kjo shumë e rëndësishme për skuadrën kuqeblu për llogari të javës së 12-të të Superligës së Basketbollit Shqiptar.