Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Slloveninë(e shtunë, ora 20:45), në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
“Që nga ndeshja e parë në shtëpi ndaj Sllovenisë u pa qartë se të dyja skuadrat janë në të njëjtin nivel. Edhe të shtunën, detajet e vogla do të jenë vendimtare. Ne jemi përgatitur shumë mirë dhe ndoshta do të bëjmë disa ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë”.
“Skuadra që sot do të tregojë më shumë energji në fushë, që do të funksionojë më shumë si ekip dhe që në të gjitha fazat e lojës do të luajë me intensitet të lartë, do të jetë ajo që do të fitojë ndeshjen”.
“Mbrojtësit tanë kanë bërë një punë shumë të mirë në ndeshjet e fundit. Siç e dini në tri ndeshjet e fundit nuk kemi pësuar gol dhe unë kam luksin të zgjedh në këtë repart. Unë e kam marrë tashmë një vendim, por para se ta publikoj, do të bisedoj fillimisht me lojtarët”.
“Për mua ka qenë gjithmonë thelbësore të shikoj se të gjithë lojtarët janë të gatshëm. E kam thënë vazhdimisht, skuadra nuk përbëhet nga 11 lojtarë. Në një grumbullim duhen 25 lojtarë dhe secili prej tyre është i rëndësishëm për skuadrën. Në ndeshjen e fundit çdo lojtar ka dëshmuar se kur ka qenë i nevojshëm, ka qenë i gatshëm dhe ka dhënë maksimumin”.



