Në Uzbekistan duket se ka gjetur “habitatin” e tij ku po shënon rregullisht dhe është një nga futbollistët kryesorë të ligës. Fjala është për Rubin Hebajn, sulmuesin shkodran i cili prej 3 sezonesh është pjesë e futbollit të vendit aziatik, teksa këtë edicion aktivizohet në radhët e Sogdiana. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ndalet pikërisht tek forma që po kalon, duke u shprehur i gëzuar. Teksa thekson se edhe sezonin e ardhshëm do jetë pjesë e futbollit uzbek. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek kampionati shqiptar e në veçanti Vllaznia, ku shpreson që ky të jetë sezoni i titullit për shkodranët. Gjithashtu edhe si një “ish” i kuqebluve, por edhe Partizanit, 27-vjeçari ndan një mendim edhe për duelin e fundjavës mes dy skuadrave.
Hebaj, duket se jeni rikthyer në formën më të mirë së fundmi, i gëzuar besoj?
Po, normalisht që jam i gëzuar sepse në fillim të sezonit kisha një dëmtim të vogël pas fazës përgatitore, që më la jashtë fushave për një muaj. Të fillosh sezonin me një lëndim, është diçka që asnjë futbollist nuk e dëshiron. Por, pastaj u futa në ritmin e duhur, duke fituar edhe Superkupën e Uzbekistiani e falë Zotit duke shënuar gola e duke ndihmuar ekipin me punën dhe kontributin tim.
Edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit në Uzbekistan, ke një objektiv personal për golat?
Siç e thashë jam i lumtur si po e përfundoj kampionatin duke pasur parasysh mënyrën si e nisa. Gjatë dy javëve të fundit që kanë ngelur do mundohem pse jo të shënoj sërish. Kështu që një vëmendje shkon edhe për sezonin e ardhshëm dhe pse jo për të pretenduar të jem sërish golashënues apo lojtari më i mirë i kampionatit, ashtu siç isha para 2 vitesh.
Uzbekistani duket një vend ku keni gjetur ritmin e duhur në gola, do vijoni sërish aty sezonin tjetër?
Do të vazhdoj sërish këtu sepse kam një kontratë që përfundon në fundin e vitit 2026. Personalisht jam shumë i kënaqur dhe lumtur në Uzbekistan. Shpresoj që sezonin që vjen të kemi objektiva më madhorë e të synojmë fitimin e trofeve me klubin. Normalisht detyra ime është të ndihmoj ekipin, duke dërguar topin në rrjetë e për këtë arsye shpresoj të shënoj sa më shumë edicionin që vjen.
Kalojmë pak te Superiorja, si është dukur në syrin tënd kampionati deri më tani?
Mendoj se Superiorja e këtij sezoni është më e forta e viteve të fundit. Janë 6-7 ekipe në syrin tim që po luftojnë dhe kanë kualitet brenda. Them se do ketë një konkurrencë të “ashpër” deri në fund dhe do jetë një kampionat shumë i luftuar.
Vllaznia në veçanti po bën diferencën me lojën e saj, bindin për ty kuqeblutë?
Vllaznia është në formë shumë të mirë. I kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e kuqebluve dhe mendoj se këtë vit është viti i duhur për ta kthyer titullin kampion në Shkodër. Gjithsesi kampionati është shumë i gjatë dhe ndeshjet duhen marrë njëra pas tjetrës. Mendoj se çunat e kane eksperiencën e duhur për të arritur sukses këtë sezon dhe shpresoj t’ia arrijnë.
Ke punuar me Martinin gjatë karrierës tënde, cili është “sekreti” i tij për sukses?
E vërtetë, kam punuar me profen dhe mund të them që sekreti i tij është arma më e fortë që çdo futbollist dhe çdo klub mund të ketë, karakteri. Mendoj se ne futbollin e sotëm çdo futbollist di të luajë dhe çdo trajner ka mundësitë të studiojë pikat e dobëta të kundërshtarit, por diferenca behet te karakteri i ekipit dhe harmonia. Mendoj se Martini është një ndër, që mos të them më i miri në Shqipëri për frymën e grupit.
Tashmë përveç Balajt apo Malës, skuadra ka emra të tjerë të njohur në sulm si Bismark, Murataj apo Kastrati. Është kjo arsyeja e fitoreve të këtij sezoni?
Jo vetëm Balaj dhe Mala, apo Bismark e Murataj. Mendoj se Vllaznia këtë sezon ka kontingjentin më të mirë në kampionat dhe ka shume kualitet në çdo repart. Është Kallaku, Kastrati, Krymi, Gurishta e shumë lojtarë që kanë përveç eksperiencave në kampionatin shqiptar edhe eksperienca në kampionate jashtë vendit. Po ashtu kanë dhe stolin e kompletuar me lojtarët e rinj si Tafili, Kubazi, Ara që janë të gatshëm sa herë iu jepet mundësia. Dhe mendoj se kjo është një armë shtesë për Martinin. Por në bazë të pyetjes mendoj se është fryma e grupit me kapitenin Balaj në krye dhe me stafin teknik që po sjell rezultatet pozitive në Shkodër.
Duket ky sezoni i duhur që titulli të kthehet në Shkodër?
E pret e gjithë Shkodra e pres dhe unë dhe shpresoj shume që ky sezon të jetë i duhuri.
Ndeshja e radhës në kampionat do jetë mes dy skuadrave ku ti kontribuar në të shkuarën, Partizani-Vllaznia. Si e mendon dhe parashikon këtë duel?
Them se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar si çdo ndeshje mes këtyre 2 klubeve, por mendoj se Vllaznia për momentin është me 1 marsh më tepër se Partizani. Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja ekipet për ta fituar duke pasur parasysh se Vllaznia nuk është mësuar të luajë në fushë sintetike, por mendoj se Vllaznia do e këtë kualitetin për ta zgjidhur ndeshjen dhe për të ruajtur vendin e parë në klasifikim
Endri ÇINARI



