Saturday, February 21, 2026

Bylisi “rrëzon” Vllazninë, fitore dramatike për mbijetesën

Lexo

- Reklamë -spot_img

Bylis ka marrë një fitore jetike në shtëpi ndaj Vllaznisë, duke triumfuar 2-1 në një sfidë të luftuar deri në sekondat e fundit dhe duke i dhënë fund serisë së fitoreve radhazi të shkodranëve në kampionat.

Dueli nisi i hapur, me ritëm dhe përplasje në mesfushë. Ballshiotët u shfaqën të organizuar dhe agresiv në fazën mbrojtëse, duke ia dalë për pjesën më të madhe të kohës të mbanin larg rrezikut sulmin kuqeblu. Nga ana tjetër, Vllaznia nuk u shfaq me saktësinë e zakonshme para katërkëndorit, duke shpërdoruar disa tentativa dhe duke hasur vështirësi për të gjetur hapësira.

Momenti kyç i takimit erdhi në startin e pjesës së dytë. Në minutën e 47-të, Stoilov realizoi një supergol, duke befasuar portierin Pohls dhe duke ndezur entuziazmin në stadium. Ky gol ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, pasi skuadra mike u detyrua të hidhte më shumë forca në sulm në kërkim të barazimit. Të besuarit e Mirel Josës menaxhuan mirë avantazhin, duke u mbrojtur me disiplinë dhe duke goditur me kundërsulme. Vllaznia ushtroi presion, por pa konkretizim, teksa rastet e krijuara nuk u finalizuan me saktësi.

Drama shpërtheu në minutat shtesë. Fillimisht, shkodranët pretenduan për një penallti, por arbitrja Rusta, edhe pasi pa pamjet në VAR, vendosi të mos akordojë 11-metërsh, duke shkaktuar protesta nga miqtë. Në minutën e 90+7, Bylisi goditi sërish. Me portierin Pohls të hedhur në sulm për të kërkuar barazimin, Sanogo përfitoi dhe dërgoi topin në portën e boshatisur për 2-0, duke menduar se kishte mbyllur përfundimisht llogaritë.

Megjithatë, vetëm dy minuta më pas, në 90+9, Tafili shënoi për 2-1, duke i dhënë shpresë të përkohshme Vllaznisë, por koha nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Me këtë sukses, Bylisi ngjitet në kuotën e 23 pikëve në vendin e tetë, duke marrë frymë në garën për mbijetesë. Vllaznia, pavarësisht humbjes, mbetet në krye të renditjes me 48 pikë, por sheh të ndërpritet ecuria pozitive në kampionat.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img