Sot Erkand Qerimaj, është në majat më të larta të peshëngritjes shqiptare por edhe asaj ndërkombëtare, ku është kampion i dyfishtë, i Europës dhe Botës.
Aktualisht, Erkandi jeton në Tiranë me familjen e tij, por lidhjet me Shkodrën vazhdon t’i ketë të forta. Sa herë vjen në qytetin e lindjes, sportdashësit dhe qytetarët e shumtë shkodranë që e kanë ndjekur kampionin dhe rekormenin kombëtar, e presin me shumë respekte.
Sidomos, ato të lagjes “Xhabiaj”, pjesë e së cilës është banesa e familjes Qerimaj, të cilët mblidhen në lokalin “Te 7-ta”, aty ku si në një ministadium, ato përcillnin vazhdimisht garat e famshme të Erkandit me ekipin kombëtar me konkurimet dinjitoze Europiane dhe Botërore.

Por, sot, ardhja në Shkodër ishte e një mënyre tjetër. Shkolla 9-vjeçare “Ndre Mjeda”, aty ku ka nisur hapat e parë të dijes Erkandi, organizoi një takim festiv me kampionin e Botës në Peshëngritje.
Takimi i organizuar në kuadrin e javës festive me rastin e 40- vjetorit të shkollës, ishte shumë festiv, ku që në hyrje të shkollës, nxënësit dhe personeli i shkollës e kanë pritur si hero, Erkand Qerimajn.

Për drejtoreshën pasionante të kësaj shkolle, jo vetëm në proçesin mësimor por edhe në vizionin e organizimit të veprimtarive të larmishme, Nevila Zhabjaku, kjo ishte një tjetër ngjarje e veçantë në ambjentet e shkollës së tyre ku patën rastin të kishin të pranishëm ish nxënësin e tyre, kampionin ndërkombëtar të peshëngritjes Erkand Qerimaj, të cilin e nderuan edhe me një çertifikatë mirënjohje.
“Një emocion i papërshkueshëm, një gëzim i jashtëzakonshem për prezencën e këtij sportisti që ka ngritur emrin e Shqiperisë në instancat më të larta të botës në disiplinën e tij
Si dhe krenari për ne që një talent i i rrallë ka dalë nga bankat e kësaj shkolle.
Në mesazhin e tij nuk mungoi vlerësimi për punën e mësuesve si edukatorë të brezave të ardhshëm por edhe mesazhi qe u dha ai nxënësve që të mos dorëzohen kurrë para vështirësive dhe disiplina është çelësi i suksesit, krenaria jonë, Erkand Qerimaj”, shkruan në postimin e saj zyrtar, zonja Zhabjaku.
Ndërkohë, për kampionin e Botës, ky takim kaq emocionues ishte një rikthim, aty ku nisi gjithçka.
“Sot u ktheva në rrënjët e tij, në Shkodër, në shkollën “Ndre Mjeda”, aty ku para sa vitesh hodha hapat e parë të dijes dhe ëndrrave.
Emocion i papërshkrueshëm të rikthehesha në bankot ku je rritur dhe ndiehesh i pritur me ka dashuri e respekt. Entuziasmi i fëmijëve , buzëqeshjet dhe energjia e tyre e pastërmë mbushën zemrën. Mes tyre pashë veten, dikur nxënës me ëndrra të mëdha . Një falenderim i veçantë për mësuesiet dhe drejtoreshëm për mikriptjen dhe fjalët e ngrohta. Titujt kampion Europe dhe Bote janë arritje të mëdha , por sot kuptova se krenaria më e bukur është të jesh shembull për brezat e rinj. Nëse historia e ime i frymëzon të besojnë te vetja dhe të punojnë fort për ëndrrat e tyre, atëherë kjo është fitorja më e madhe. Faleminderit Shkodër. Rrënjet nuk harrohen kurrë.”, shpreh mes emocioneve të shumta që e shoqërojnë, superkampioni Erkand Qerimaj.
(Video) Pamje nga pritja që iu bë peshëngritësit, kampionit të Europës dhe Botës, Erkand Qerimaj në shkollën 9-vjeçare “Ndre Mjeda”, ish nxënës i kësaj shkolle.
Gaspër MARKU


