“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kisha disa oferta për të ndryshuar skuadër, por për mua,Vllaznia është diçka speciale dhe këtë hap e bëmë bashkë”. Kështu shprehet për mediat, gjermani Thomas Brdariç, në prononcimin e tij të parë pasi ka zyrtarizuar gjithçka me drejtuesit e klubit Vllaznia dhe Bashkinë Shkodër për të vijuar punë edhe për një sezon në krye të skuadrës kuqeblu.
“Është një sfidë e madhe të vazhdosh punën te Vllaznia. Mendoj se është shumë e rëndësishme të shkojmë në këtë betejë dhe të kujdesem për ekipin tim. Ne jemi në ndërtim. Nuk jemi klubi që krahasohemi me ekipet më të mira europiane. Ne jemi rritur dhe ky është ekipi im, është një proces që duhet bërë.”, shprehet Brdariç për mediat e qytetit verior duke mos e fshehur kënaqësinë që i ka dhënë fund dilemave për vazhdimësinë e bashkëpunimit në stolin kuqeblu.
Sa i përket skuadrës dhe konkretisht kontratave me lojtarët, Brdariç thotë se “ne jemi duke punuar në disa drejtime, por rëndësi ka që të mbajmë lojtarët, të kemi një të ardhme profesionale, por sigurisht që do shohim edhe tregun.”
Për Brdariç pjesëmarrja në Europë është një sfidë e bukur për Vllazninë që të përballet me ekipe europiane. “Është diçka e pabesueshme, në kushtet që ishim thonit që ‘a jeni të çmendur?!’ Do përballemi me këdo që të na bjerë shorti.”, u shpreh ai.
Ndërsa, për kampionatin thotë se “kemi për qëllim të mbajmë profesionalizmin, të jemi në vendet e larta dhe le të ëndërrojmë pse jo. Nuk e di sa mungesa kemi, disa kanë dëmtime, por është gjë e mirë për lojtarët që kemi sot.”