(Video) “Akademia Jonë”/ 9 vite në shërbim të fëmijëve, reportazh për “Etien Football Academy” nga FSHF TV

Lexo

- Reklamë -spot_img

“Etien Football Academy” operon prej gati një dekade në Shqipëri, duke qenë një nga qendrat më të preferuara për fëmijët për të ushtruar futbollin. Që prej vitit 2017, kur kjo akademi hapi dyert, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe nga një grup i vogël fëmijësh, aktualisht janë mbi 300 fëmijë që argëtohen dhe ndërtojnë ëndrrën e tyre për t’u bërë një ditë futbollistë.

Drejtuesit kanë punuar për të formuar një akademi me kushtet ideale për zhvillimin e fëmijëve, duke ndërtuar një skuadër me trajnerë profesionistë. Presidentja e Etien Academy, Gelda Lilo, thekson se projekti “Uniforma Ime” është një nga nismat që i ka ndihmuar shumë prindërit në aspektin financiar, por edhe akademinë për të krijuar një identitet të veçantë.

“Projekti ‘Uniforma Ime’ ka ndikuar shumë në zhvillimin e akademisë. I ka dhënë zhvillim si profesional, ashtu edhe në imazhin e akademisë. Fëmijët ndihen më të disiplinuar, më të barabartë dhe ndihen si një skuadër e vërtetë me këtë uniformë që Federata Shqiptare e Futbollit na ka mundësuar. Në bazë të këtij projekti, prindërit ndihen më të lehtësuar nga ana financiare”.

Administratori, Kristi Sulenji, tregon se pozicionimi me dy fusha në qendër të Tiranës e ka kthyer Etien Football Academy në një nga destinacionet më të preferuara për fëmijët.

“Infrastruktura e Etien Academy është një nga pikat më të forta që ne kemi, duke qenë se jemi me dy lokacione në qendër të Tiranës. Për këtë duhet t’i jemi falënderues edhe Federatës Shqiptare të Futbollit që na ka mbështetur. Dua të falënderoj edhe presidenten e ekipit që na qëndron gjithnjë afër dhe është një nga presidentet e para femra që flet kaq shumë për futbollin”.

Etien Academy operon prej 9 vitesh në dy fusha në qendër të Tiranës, por misioni vijon dhe në horizont është sfida e radhës për të rritur mundësitë që fëmijët që jetojnë në kryeqytet të provojnë emocionet e futbollit.

Ndërkohë, trajneri i parë, Erind Kosova, deklaron se prioriteti kryesor është edukimi i fëmijëve.

“Etien Academy, përveç kushteve shumë të mira, ka edhe një staf të kualifikuar me trajnerë profesionistë. Ne i mësojmë fëmijët që në radhë të parë të edukohen dhe më pas të merren sa më shumë me sportin, duke zhvilluar edhe prirjen për futbollin. Primare për ne është që fëmijët të edukohen fillimisht”.

Vetë lojtarët janë të lumtur për atë që kanë gjetur në këtë familje të madhe, pasi rrugëtimi i tyre po shkon mjaft mirë dhe premisat janë që në të ardhmen të jenë ata futbollistët e rinj që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar.

Etien Academy në këtë rrugëtim ka arritur të ketë jo pak suksese. Nga brezi i parë i fëmijëve që kanë kaluar në këtë akademi, disa prej tyre kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt futbollit profesionist. Elidon Gjika është emri që ka spikatur më së shumti, pasi në moshën 11-vjeçare bëri hapin drejt akademisë së Barcelonës, ndërsa sot është pjesë e Rayo Vallecanos.

Etien Academy vijon misionin e saj me përkushtim dhe pasion, për të realizuar ëndrrën e sa më shumë fëmijëve që synojnë të arrijnë majat e sportit më të dashur në botë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img