Bulqiza-Vllaznia B 1-4(Shënues: Alvaro Faruku 15’/Klajti Halili 22’, Enez Papaj 33’, Obele Allele 64’, Maouloud Bilal 69’)
Vllaznia B është zyrtarisht fituese e vendit të parë në grupin A të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Tretë. Pozicion ky, që i jep të drejtën e kualifikimit direkt një kategori më lart, që do të thotë se sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë së Dytë.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Bulqizës është mbyllur me rezultatin 1 me 4 në favor të Vllaznisë B, në një ndeshje që ndonëse dy ditë më parë fitorja e KF Shkodra 1-0 ndaj Dinamos rivale, i siguroi Vllaznisë vendin e parë në grup, kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Ersi Çaku respektuan kampionatin duke bërë më të mirën e tyre në 90-të minutat e fundit të fazës së dytë.
Katër golat e shënuar nga Klajti Halili 22’, Enez Papaj 33’, Obele Allele 64’, Maouloud Bilal 69’, bënë të pavlefshëm golin e vendasve me autor Alvaro Faruku 15’.
Një sukses ky i merituar për kuqëeblutë e B-së, pas një kampionati që e dominuan në të gjitha drejtimet, me lojë dhe rezultat, për të cilën flet qartë edhe bilanci: 44 pikë të grumbulluara, 14 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje, 76 gola të shënuar dhe 11 të pësuar.
Pas fitores së sotme në Bulqizë është zhvilluar ceremonia e shpalljes së Vllaznisë B kampione e grupit A, ndërkohë që për festën e madhe, atë të ekipit kampion të kësaj kategoria, duhet pritur luajtja e finales mes dy fituesve të dy grupeve, Vllaznisë B në grupin A dhe Albpetrolit në grupin B. Takim ky, që siaps njoftimit të FSHF-së, do të luhet të premten e 8 majit në stadiumin “Shtëpia e Futbolli”-FSHF Tiranë.
Gaspër MARKU


