Është mbyllur java e 36-të dhe e fundit e sezonit të rregullt të kampionatit “Abissnet Superiore”, duke përcaktuar edhe të gjitha verdiktet e këtij edicioni.
Vllaznia e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë me 63 pikë, pas fitores 2-0 ndaj Flamurtarit dhe humbjes së AF Elbasanit 1-3 përballë Tiranës. Skuadra shkodrane siguroi kështu kreun, ndërsa AF Elbasani e përfundoi kampionatin në vendin e dytë me 62 pikë.
Triumfi ndaj AF Elbasanit i dha gjithashtu Tiranës mundësinë për të siguruar qëndrimin në “Abissnet Superiore” edhe për sezonin e ardhshëm.
Në takimet e tjera të javës së fundit, Partizani fitoi 2-1 ndaj Dinamo City, ndërsa Teuta triumfoi 3-2 përballë Egnatias.
Vora regjistroi një fitore të rëndësishme 5-2 ndaj Bylisit, duke siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Katër skuadrat që kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën “Final Four” janë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Dinamo City. Sipas rregullores, pikët e grumbulluara gjatë sezonit të rregullt do të përgjysmohen dhe katër ekipet do të përballen mes tyre në gjashtë ndeshje, që do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, për të përcaktuar ekipin kampion të sezonit 2025-2026.
Në fundin e renditjes, Bylis dhe Flamurtari e mbyllën kampionatin në vendet 9 dhe 10, duke rënë në “Kategorinë e Parë” për sezonin e ardhshëm.
Teuta u rendit në vendin e tetë dhe do të luajë finalen e play-out për qëndrimin në “Abissnet Superiore” ndaj fituesit të çiftit Pogradeci – Besa.



