Sektori i Edukimit në FSHF ka përmbyllur me sukses edicionin e radhës të kursit të licencimit për trajnerë të nivelit UEFA A profesioniste, që është niveli i dytë për nga rëndësia, pas shkallës më të lartë, asaj të licensës UEFA Pro. Në këtë kurs morën pjesë 30 trajnerë, të cilët ndoqën për gjashtë muaj kurrikulën e përgatitur nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.
Pjesë e këtij kursi ishte edhe futbollistja e Vllaznisë, Albina Rrahmani. Falë një karriere të gjatë sportive që po kalon në radhët e Vllaznisë, shqiptarja e Kosovës, Rrahmani është bërë një emër shumë i dashur për mjedisin sportiv shkodran. Përpos skuadrës kuqeblu ku është pika kryesore e prapavijs, Albina po aq e rëndësishme edhe për skuadrën tonë konbëtare ku si titullare padiskutueshme për vite me radhë, stafi teknik i ka besuar edhe shirin e kapitenes së skuadrës.
Liçensa e sapo marrë UEFA A është një tregues se Albina kërkon të jetë gjatë në botën e futbollit. Elementet optimal fizikë, teknika dhe talenti që disponon, janë garanci për të qënë edhe për shumë vite në fushën e lojës, por edhe pas përfundimit të këtij misioni, ajo do të vijojë të jetë pranë futbollit si trajnere.
Pas përfundimit të testimit të fundit, në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së diplomave “UEFA A”, ku të pranishëm ishin drejtuesit e Sektorit të Edukimit, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj, të cilët janë edhe përgjegjës për organizimin e këtij programi arsimor, si edhe Iris Selimi, trajner i përgatitjes atletike i Kombëtares shqiptare.
Kursi nisi më 22 janar dhe përfundoi me 25 qershor, duke zgjatur kështu për herë të parë për gjashtë muaj, pas vendimit që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori në Konventën e 2020, ku ndryshoi formatin, nga shtatë javë ku trajnerët duhet të përfshiheshin intensivisht në kurs, në një periudhë më të gjatë kohore.