Jeton prej katër vitesh me familjen e tij në Gjermani, aty ku karriera e tij shumë e suksesshme e ndërtuar në Shqipëri me ekipin e Vllaznisë ka vijuar me të tjera suksese të njëpasnjëshme si boksier, trajner dhe pedagog i boksit në shkollat gjermane.
Ky është shkodrani Kristian Demaj, 35-vjeçari i cili ka vendosur të boksojë për ngjyrat e Vllaznisë në Kampionatin Kombëtar 2026 për kategorinë e të rriturve që zhvillohet në muajin tetor në Tiranë.
Pas ftesës së kryetrajnerit Zef Gjoni, kampioni Demaj ka mbërritur në Shkodër duke nisur menjëherë përgatitjet në palestrën e boksit Vllaznia.
Veriu Sport ndoqi nga afër një pjesë të seancës stërvitore të 35 vjeçarit nën drejtimin e trajnerit të Vllaznisë Lazarin Vila ku dukej qartë përkushtimi maksimal i kampionit për të mbërritur formën optimale.
Ndërkohë që në prononcimin e dhënë menjëherë pas stërvitjes, Demaj tha se ka ardhur edhe herë të tjera të kontribuojë për ekipin ku u rrit si boksier, ndërkohë që ardhja e kësaj radhe ka si objektiv fitimin e titullit kampion të 14-të në prizmin individual dhe të 28-tin ekipor.
Megjithatë, Kristian Demaj e ka një merak: “Titullin e 28-të të ekipit të Vllaznisë do të doja ta festoja me tifozët shkodranë në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi”, por , meqë aktiviteti është programuar të zhvillohet në Tiranë, ftoj tifozët kuqeblu të jenë sa më të shumtë në kryeqytet për të festuar të gjithë bashkë trofeun e 28-të të Vllaznisë.”, shprehet ai.
(Video) Prononcimin e plotë të boksierit kampion Kristian Demaj si dhe pamje nga proçesi stërvitor me trajnerin e Vllaznisë në boks, Lazarin Vila, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


