Përmes një njoftimi zyrtar, KF Vllaznia njofton ndërprerjen me mirëkuptim të kontratës me futbollistin Jasmin Çelikoviç. Njoftim që shoqërohet edhe me falenderime për kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës sportive.

Më herët ka qënë vetë boshnjaku Jasmin Çelikoviç, i cili ka bërë të ditur përmes një postimi emocinues në rrjetet sociale.
“Pas gjithçkaje që kemi kaluar së bashku, ka ardhur momenti të them lamtumirë. Nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë një klubi dhe një qyteti që janë bërë pjesë e jetës sime.
Që nga dita e parë, kam qenë i sinqertë me këtë klub dhe sa herë kam veshur këtë fanellë, e kam bërë me krenari. Në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin tim, pavarësisht rrethanave. Kam luftuar për këtë stemë, për klubin dhe për këtë qytet.
E di sa shumë kam dhënë nga vetja dhe pikërisht për këtë arsye largohem sot me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ndoshta nuk mund të ndikoja në gjithçka që ndodhi, por kishte një gjë që mund ta kontrolloja – qëndrimin tim ndaj klubit. Dhe ndaj Vllaznisë kam qenë gjithmonë i sinqertë, profesionist dhe besnik.
Lë këtu një pjesë të zemrës sime, por marr me vete kujtime që askush nuk do të mund të m’i marrë kurrë.
Faleminderit shokëve të skuadrës, trajnerëve, të gjithë njerëzve në klub dhe kujtdo që ishte pjesë e këtij rrugëtimi.
Dhe ju, tifozë… faleminderit që më bëtë ta ndiej edhe më thellë këtë stemë. Faleminderit për çdo duartrokitje, çdo këngë, çdo kritikë dhe çdo moment kur qëndruat pranë nesh.
Ndoshta sot ka ardhur koha të ndjek një rrugë tjetër, por ajo që kam ndier për këtë klub do të mbetet gjithmonë pjesë e imja.
Një herë Vllaznia – gjithmonë Vllaznia.”, shkruan boshnjaku Çelikoviç, i cili gjatë qëndrimit tek Vllaznia, luajti 25 ndeshje me uniformën kuqeblu, 19 në kampionat, 4 në Kupë, 2 në Ligën e Konferencës.


