Kuqeblutë e Vllaznisë e kanë nisur me humbje përfaqësimin në ndeshjet e “Conference League”, teksa janë mundur në ndeshjen e parë me rezultatin 3 me 1. Humbja ka ardhur në përballjen e luajtur në transfertë ndaj skuadrës boshnjake NK Siroki Brijeg.
Një humbje, e cila vjen pas një loje jo në nivelin e kërkuar të skuadrës kuqeblu, sidomos në pjesën e parë kur boshnjakët ushtruan presion në portën e malazezit të Vllaznisë, Zogoviç.
Gjithësesi, në kampin kuqeblu ka ankesa të shumta për gjykimin e ndeshjes nga gjyqtari rus Matjuni. 12 kartona të verdhe dhe 2 të kuq për Vllazninë janë shumë në një 90-të minutësh. Të ndëshkuarit me të kuqe janë mesfushor Krymi dhe trajneri Brdariç, të cilët do t’i mungojnë Vllaznisë në ndeshjen e pas një jave qëdo të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.
Referuar ecurisë së takimit, Vllaznia e rikthyer pas një dhjetëvjeçari në veprimtaritë kontinentale, duke u përballur në ndeshjen e parë në Bosnjë-Hercegovinë me skuadrën e Shiroki Brijegut e nisi më mirë ndeshjen, duke rrezikuar në minutat e para. Më pas inciativa kalon në anën e boshnjakëve vendas, me disa sulme radhazi shumë të rrezikshme, por gardiani malazez i kuqebluve, Zogoviç, nuk e ka lejuar prekjen e rrjetës së portës së tij.
Ndonëse boshnjakët do të vazhdojnë të ushtrojnë trysni, Vllaznia do të vazhdojë ta përballojë atë, por deri 3 minuta para fundit të pjesës së parë, kur gjyqtari akordon një 11-metërsh të diskutueshëm për skuadrën vendase dhe ndëshkon me karton të verdhë kapitenin shkodran, Gurishta. Kapiteni tjetër, Staniç, nuk gabon nga pika e bardhë dhe kalon të tijtë në epërsi.Post
Me këtë epërsi minimale të Shiroku Brijegu do të mbyllen 45 minutat e para. Edhe ato të dytat do të sjellin një tjetër 11-metërsh të diskutueshëm të akorduar nga gjyqtari rus, që do të shndërrohet sërish në gol nga kapiteni i boshnjakëve, Staniç. Dhe 13 minuta para fundit të kohës së rregullt, Lukiç gjen edhe golin e 3-të të Shiroku Brijegut.
Megjithëse Vllaznia do t’i luajë minutat e fundit me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Krymit, por edhe të trajnerit Tomas Brdariç, shkodranët do të gjejnë një gol ngushëllimi me anë të të sapofuturit në fushë, Çoba.
Është pikërisht goli i të riut Çoba, ai që i mban të gjalla shpresat e kuqebluve për një përmbysje të mundshme në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas një jave, me datë 15 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.