Në prononcimet e dhëna menjëherë pas ndeshjes, trajneri kuqeblu Thomas Brdariç dhe drejtori sportiv, Matko Djarmati akuzojnë drejtpërdrejtë gjyqtarin rus Matjuni si përgjegjës për humbjen e pësuar në transfertë 3 me 1 ndaj boshnjakëve të Shiroki Brijeg.
Thomas Brdariç(Trajner i Vllaznisë)
”Ne humbëm sot një ndeshje, e cila ishte e balancuar për mua, nuk e di se çfarë ndodhi me gjyqtarët por humbën kontrollin në çdo gjë. Gjyqtari ishte kundër nesh, nuk e pranoj këtë ndeshje, ishte e paligjshme. Nuk mund ta besoj sa herë ishte kundër nesh gjyqtari. Skuadra luajti mirë, në momentin e duhur bëmë gjënë e duhur. Më vjen keq ta them, por lojtarët e mi luajtën kundër 12 vetave mbrëmjen e sotme, dhe të luash kundër 12 vetave është shumë e vështirë. Nisëm që nga fillimi me pretendimet, më pas gjithçka u bë edhe më serioze. Kemi të gjitha shanset për ndeshjen e kthimit, ndoshta do të kemi një gjyqtar më të mirë dhe ndeshje më të mirë dhe do të kalojmë. Luftuam shumë mirë sot, lojtarët kishin plan të mirë si të luanin kundër tyre.”
Matko Djarmati(Drejtor sportiv-Vllaznia)
“Nuk u futëm mirë në lojë, disa gjëra nuk funksionuan siç duhej. U përpoqëm të ndryshonim diçka me zëvendësimet, shënuam një gol dhe shpresoj se do të jetë më mirë në ndeshjen e kthimit sesa sot. Ne e dimë se si do të pozicionohemi në ndeshjen tjetër. Një gjykim krejtësisht i njëanshëm ai që pamë sot”.