KF Shiroka vazhdon të kalojë momente jo të mira, kur pas gjashtë javësh kampionat ka grumbulluar vetëm tre pikë duke u renditur në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit.
Humbja e derbit shkodran javën e kaluar me Vllazninë B u shoqërua me shkarkimin e stafit teknik, ndërkohë që presidenti Ergi Axhani riktheu në krye të skuadrës italo-argjentinasin, Matias Tatangelo, një trajner që ka bërë mirë më herët tek Shiroka, duke kaluar më pas në drejtimin e disa skuadrave të tjera të kategorisë së parë, si dhe në Superligë.

Megjithatë, debutimi i tij në ndeshjen përballë Gramshit nuk shkoi mirë, pasi Shiroka u mund në shtëpi me rezultatin 1 me 5.
Pjesa e parë e kësaj ndeshje u mbyll me rezultatin 0 me 2 në favor të Gramshit me dy golat e shënuar nga Serxhio Tabaku, i pari që në minutën e pestë dhe i dyti në të 45-tën minutë.
Në pjesën e dytë, Shiroka bën përpjekjet e duhura për të reaguar në kërkim të golit të parë që do të rihapte ndeshjen, por nga ana tjetër është Gramshi, i cili i drejtuar nga trajneri Alfred Allamani shënon edhe të tretin me autor Sadiç në minutën e 61-të.
Nuk vonon shumë, dhe në të 71-tën minutë gjendja tek Shiroka përkeqësohet, pasi gjyqtari kryesor Qendraj ndëshkon me karton të kuq Doucoure duke lënë vendasit me një futbollist më pak në fushën e lojës.
Në harkun kohor të tre minutave, Gramshi shënon në t 78-ten golin e katërt me autor Erlind Qehaja, ndërsa pas tre miutash vjen goli i Shirokës për mes pikës së penalltisë me autor Oltjon Drabene.
Edhe pse me një futbollist më pak, Shiroka insiston për një gol tjetër, por është Jurgen Peqini, i cili me golin e shënuar në të 85-tën minuta vulos rezultatin pëerfundimtar, KF Shiroka 1 dhe Gramshi 5.
Në prononcimet e dhëna pas ndeshjes për Veriu Sport, trajneri i Shirokës Matijas Tatangelo pranoi forcësn e skuadrs kundërshtare, e cila sipas tij është më e mira e kategorisë së dytë. Ndërkohë që vuri në dukje se ka vetëm dy ditë që stërvit ekipin, dhe se është optimist për ndryshimin e situatës. Në krahun tjetër, trajneri i Gramshit, Alfred Allamani, shprehet i lumtur që arriti të mundë një skuadër që sezonin e kaluar ishte shumë pranë kualifikimit në të parën. Ndërkohë që deklaron se, me skuadrën që ka në dispozicion është gati në realizimin e objektivit të kualifikimit në kategorinë e parë.
(Video) Pamje nga ndeshja Shiroka-Gramshi, si dhe prononcimet e dy trajnerëve kundërshtarë: Tatangelo të Shirokës dhe Allamani të Gramshit, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


