Sunday, November 24, 2024

(Intervista) “Një gol e gjysëm” në dy përballjet e turit të parë ndaj boshnjakëve, 21 vjeçari Mehdi Çoba, premton tundjen e rrjetës edhe ndaj qipriotëve në turin e dytë të Europa League

Lexo

Pas kalimit të turit të parë ndaj skuadrës boshnjale, Shiroki Brijeg, Vllaznia kërkon të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj kundërshtarit që ka përballë në turin e dytë, AEL Apollon Limasol të Qipros. Një nga futbollistët që ka spikatur në të dy ndeshjet e turit të parë, autori i të vetmit gol në ndeshjen e parë të Bosnjes dhe një asist perfekt për golin e dytë të Gjurgjeviç në “Loro Boriçi”, 21 vjeçari i talentuar i sulmit kuqeblu, Mehdi Çoba shprehet entuziast për kalimin edhe të turit të dytë nga ana e Vllaznisë.

Çoba, i kënaqur për formën sportive që po demonstroni në gjirin e kuqebluve?

Po, shumë i kënaqur për gjithçka kemi arritur dhe tashti shpresojmë të ecim edhe më tej në rrugën tonë sportive.

Kur mësuat kundërshtarin e Turit të Parë, boshnjakët e Siroki Brijeg, besonit se do ta kalonit turin e parë?

Po, e kam thënë edhe në intervistën e mëparshme, unë kam besuar gjithmonë se do ta kalojmë turin e parë.

Ju ishit autor i të vetmit gol në ndeshjen e turit të parë në Bosnje ndaj Siroki Brijeg, gol i cili ishte përcaktues për kualifikimin e Vllaznisë. Si e përjetuat këtë gol të shënuar në transfertë?

Ishte një kënaqësi shumë e madhe, por nuk e kuptova realisht tamam se çfarë ndodhi. Thjesht, u nisa për të marrë topin dhe vrapova me shpejtësi për ta vendosur tek vendi në qëndrën e fushës. Shumë kënaqësi e madhe, sidomos kur të gjithë e konsideruan dhe në fakt ashtu ndodhi që ai të ishte përcaktues në kualifikimin tonë si ekip.

Ndërkohë, edhe në ndeshjen e kthimit ju spikatët me prezencën tuaj në fushën e lojës, kryesisht me atë asist përfekt për kolegun Gjurgjeviç në momentin e shënimit të golit të dytë në “Loro Boriçi”.

Në çdo ndeshje jam munduar të bëj më të mirën time, dhe kur jep më të mirën në proçesin stervitore ashtu ka për të ndodhë në fushën e lojës gjatë ndeshjeve zyrtare. Ekipi ka besuar shumë tek unë dhe jam shumë i gëzuar që ia shpërbleva.

Për hirë të së vërtetës tifozëria shkodrane po ju mbështet fuqimisht në forma nga më të ndryshme duke i kërkuar drejtuesve më shumë hapësira ndaj jush në fushën e lojës. Është ky edhe një motiv më tepër inkurajues për juve?

Normalisht që është një shtysë më e madhe për vijuar punën edhe me më shumë përkushtim në proçesin stervitor në mënyrë që të arrij të marr edhe më tepër minuta në fushën e lojës.

Dhe, në fakt  Çoba, hapësirat duket se po vijnë çdo ditë e më tepër, nga ndeshja në ndeshje. I kënaqur me bashkëpunimin me stafin teknik?

Po, shumë i kënaqur, profesorët po na rrijnë afër, na motivojnë shumë, dhe pse jo të japim më të mirën tonë në fushën e lojës.

Rivalitei dhe konkurenca për një vend titullari në skuadrën kuqeblu është e madhe, do të arrijë Çoba të bind drejtuesit për të fituar në vazhdsimësi një vend titullari në formacionin kuqeblu?

Patjetër, me punë dhe besim, si dhe duke mësuar edhe atyre më me përvojë, besoj se me kalimin e kohës, do ta arrijmë edhe formacionin e parë.

Me atë çfarë keni paraqitur gjatë periudhës së fundit, 3 gola në ndeshjet miqësore përgatitore, si dhe 1.5 gola në dy ndeshjet e turit të parë Europa Legue, shkodranët dhe më gjerë presin që sa herë ju të jeni në fushën e lojës të vijë goli për skuadrën kuqeblu. Premtoni një gol të tillë edhe në transfertën e së enjtes me skuadrën qipriote,  AEL Apollon Limasol?

Patjetër, nëse do të kem minuta në fushën e lojës, edhe golin edhe asisin kam shumë besim se e bëj.

Me aq sa keni arritur të kuptoni gjatë ditëve përgatitore të pragndeshjes me qipriotët e Limasol, Çoba do të jetë në fushën e lojës si titullar, apo zëvendësues?

Këto janë zgjedhjet e trajnerit, është puna e tij, nëse do të më besojë të më aktivizojë në fushën e lojës unë jam gati gjithmonë që të jap më mirën për skuadrën.

Rritja e dukshme e formës tuaj sportive gjatë ndeshjeve të fundit me uniformën kuqeblu, padyshim që ju ngacmon dhe rrit dëshirën dhe synimet për të veshur edhe fanelën kuqezi të kombëtares shqiptare.

Natyrisht që e synoj, ashtu si çdo futbollist tjetër ëndrra jonë gjithmonë është që të luajmë për kombëtaren e Shqipërisë dhe shpresoj që të bëhet realitet sa më shpejt një gjë e tillë.

Ta mbyllim me atë që të gjithë e dëshirojnë të ndodhë, beson Çoba se pas dy përballjeve me AEL Apollon Limasol të Qipros, Vllaznia do të kalojë në turin e tretë të Europa League?

Normal që do ta kalojmë edhe turin e dytë, atë e besojmë të gjithë në skuadër.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img