Trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave vijojnë të testojnë skuadrat e tyre në ndeshje miqësore.
Këtë të enjte, në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, Shqipëria U-17, e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku zhvilloi një ndeshje miqësore ndaj skuadrës së nën 18 vjeçarëve, e drejtuar nga Ardi Behari.
Sfida përfundoi me rezultatin final 2-0 në favor të Kombëtares U-17, me kuqezinjtë e Bulkut të cilët shfrytëzuan saktë dy raste, duke i shndërruar në gola.
Formacioni i Kombëtares U-17: Kiri, Basha, Koleci, Marku, Kurti, Lulaj, Tresa, Kasmollari, Zaganjori, Ageja, Xhixha. Gjatë lojës u aktivizuan edhe Totoshi, Kurti, Kashari, Reçi, Muça, Guci, Mata.
Formacioni i Kombëtares U-18: Jata; Stafa; Çipi; Merkaj; Kreka; Bajraktari; Topi; Shala; Trifoni; Velaj; Kaçanolli. Gjatë lojës u aktivizuan edhe Biba, Sota, Borova, Thaleb; Jushi, Kote, Cungu, Çereni, Thana, Gora.
Sfida nis e qetë për të dyja skuadrat, që kërkojnë raste, por goli do të vinte vetëm në minutën e 12-të të takimit, me Skerdi Xhixhën, i cili shënoi për nën 17-vjeçarët, duke i kaluar në avantazh. Loja vazhdon kërkuese për të dyja skuadrat, me kuqezinjtë e Beharit të cilët kërkonin golin e barazimit. Në minutën e 26-të të ndeshjes janë sërish të besuarit e Bulkut që gjejnë rrugën e rrjetës. Orsi Ageja dyfishon rezultatin për Kombëtaren U-17. Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, Velaj humb rastin e artë për të shndërruar në gol një 11-metërsh, që do të shkurtonte rezultatin. Pjesa e parë mbyllet në epërsinë e Shqipërisë U-17.
Edhe fraksioni i dytë i ndeshjes është kërkues nga të dyja ekipet, me trajnerët që vendosin të freskojnë lojën dhe të testojnë edhe futbollistët e tjerë të grumbulluar. Përpos rasteve të krijuara nga të dyja ekipet, por rezultati mbetet i njëjti deri në fund të sfidës.
Në këtë miqësore ishte i pranishëm edhe trajneri i ekipit Kombëtar A, Edy Reja, zv.trajneri, Sergio Porrini si dhe Drejtori Teknik, Giancarlo Camilese, të cilët panë nga afër talentet e reja që mund të jenë potencial për të ardhmen e Kombëtares.
Kjo ndeshje i shërbeu dy trajnerëve për të parë nga afër elementet e që kanë në skuadër dhe të shohin nivelin e tyre.