Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës, sot ka pasur një mysafir të veçantë, ambasadorin e Japonisë në vendin tonë, z. Mitsuyuki Takada. Me ftesë të presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi, që është edhe një mik i afërt me diplomatin japonez, por edhe bashkëpunues në fushën e biznesit me kompanitë e njohura Fujifilm të këtij shteti, ambasadori Takada vizitoi prej së afërmi mjediset e stadiumit të Shkodrës. Vizitë kjo që pritet të shërbejë edhe për mundësitë e bashkëpunimit me klubet e futbollit japoneze, për mbështetjen e duhur në fusha të ndryshme në shërbim të KF Vllaznia.
“Klubi i futbollit Vllaznia, Presidenti Alban Xhaferi pati kënaqësinë të mirëpresë sot në Shkodër ambasadorin e Japonisë në vendin tonë, z. Mitsuyuki Takada. Mbas prezantimit të ambienteve të stadiumit “Loro Boriçi” dhe punës së bërë deri tani në arritjen e rezultateve dhe objektivat e klubit në promovimin e elementit të ri si dhe arritjen e objektivave sa më të larta në këtë sezon, diskutuam dhe për mundësitë e krijimit të marrëdhënieve me klube japoneze në të ardhmen dhe shkëmbimin e eksperiencave me ta. Gjithashtu drejtori i Akademise Alban Neziri, në emër edhe të Bashkisë Shkodër i dhuroi ambasadorit një foto me simbolet e qytetit tonë.”, theksohenh në njoftimin zyrtar që KF Vllaznia ka shpërndarë për publikun.