Friday, March 29, 2024

Analiza e Rudi Vatës për Vllazninë. Ish futbollisti shkodran kërkon vemendje për tifozët kuqeblu, ndërsa e quan të gabuar ndryshimin e trajnerëve!

Lexo

Në  një intervistë të zgjeruar dhënë për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ish futbollisti shkodran, që krahas Vllaznisë dhe skuadrave të tjera, brenda dhe jashtë vendit, ishte për shumë vite lider i kombëtares kuqezi, ka ka folur për shumë elemente të futbollit shqiptar, ku mes tyre është ndalur edhe tek Vllaznia.

“Vllaznia është e dobët, shumë e dobët. Për momentin ka humbur kiminë e skuadrës Vllazni, kimia me tifozin është shumë e rëndësishme. Tifozi është shkëputur se është zhgënjyer prej lojtarëve. Lojtarët kanë një farë emri, paguhen shumë mirë, por produkti ka qenë shumë i keq, nuk ka arritur të marrë maksimumin e këtyre lojtarëve. Vllaznia është e Shkodrës, e tifozëve, klub me traditë. Ata që e drejtojnë Vllazninë, duhet të respektojnë shumë historinë e saj, figurat serioze të futbollit shkodran, të bëjnë plane serioze se pa plane serioze nuk bëhet një Vllazni kampione që mungon prej dy dekadash.”, është shprehur fillimisht Vata.

Në vijim ai është ndalur edhe ndryshimi i trajnerëve të Vllaznisë, ku sipas tij ka qënë një vendim i nxituar dhe emocional, siç ndodh edhe në ekipe të tjera ku mungojnë rezultatet.

“Ndryshimi i trajnerëve ishte shumë gabim,, nuk mendoj se kishte fajin trajneri. Josa ka qenë shumë i suksesshëm në kampionatin shqiptar, ka dalë edhe në grupe në Europë, ka fituar kampionate e Kupë e gjithçka. Ishte ai që e çoi në Europë duke fituar Kupën. Për mua ka qenë gabim dhe i nxituar. Nuk i bën vetëm Vllaznia, është i përgjithshëm në futbollin shqiptar, ndodh në çdo klub, i gjen pa fund këto probleme. Kjo vjen gjithmonë nga emocionet e pakontrolluara, reagimet e shpeshta, por çdo gjë duhet analizuar e menduar mirë kur merr një vendim.

Të largosh një trajner nuk është si të largosh një punëtor krahu a fushe. Trajneri është shumë i rëndësishëm dhe të kesh parasysh që një trajner si Josa është një lloj Kapelo e Ançeloti në miniaturë për kampionatin shqiptar, ka fituar shumë e ka bërë gjëra shumë të mira në kampionatin shqiptar, nuk mund ta largosh në mënyrë të tillë se nuk ka sens. Trajnerët e suksesshëm nuk mund të largohen aq shpejt, me emra si Duro e Josa, ka humbur futbolli shqiptar.

Edhe nga mënyra se si trajtohen trajnerët. E ndjej edhe trajtimin që u bëhet, nuk janë të lirë që nuk lejohen të marrin vendime të rëndësishme. Këta trajnerë si Josa, Daja, Duro, Shehi janë trajnerë që normalisht edhe si futbollist e trajnerë kanë pasur një lloj suksesi. Nëse nuk i respekton, t’i dëgjosh fjalën e kuptosh, nëse nuk konsultohesh e vlerëson punën si trajner sigurisht nuk ke edhe si e respekton, unë mendoj se nuk janë të lirë. Siç nuk janë shqiptarët në përgjithësi të lirë, se Shqipëria nuk është vend i lirë, njerëzit në përgjithësi janë të nënshtruar.”, citoi ndër të tjera Rudi Vata në intervistën e tij dhënë për Panorama Sport.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img