Thursday, April 25, 2024

Artisti shkodran, Sidrit Bejleri thirrje për të mbështetur Vllazninë. Sot, ora 19.30 prezantohet klipi i këngës së Vllaznisë përgatitur nga dyshja e njohur shkodrane, Saraçi-Bejleri

Lexo

Sidrit Bejleri, përpos se një artist i niveleve të larta, si shkodran i thekur që është, spikat edhe për pasionin, dashurinë dhe tifozllëkun e madh për Vllazninë, skuadrën e zemres, që ashtu si edhe shumë bashkëqytetarë të tij, krenohet me të drejtë me traditën dhe historinë 102 vjeçare të këtij klubi, padyshim më i vjetri në vendin tonë, klubit që përfaqëson Shkodrën, qytetin ku është luajtur për lerë të parë futboll që në vitin e hershëm 1905.

Si dashamirës i flaktë i Vllaznisë në vite, falë edhe rezultateve pozitive që skuadra kuqeblu regjistroi në këtë sezon futbollistik ku për javë të tëra kryesoj bindshëm kampionatin, pozitë në të cilën është edhe tani aktualisht, së bashku me kolegun e tij shkodran, artistin tjetër, të mirënjohurin, Shpëtim Saraçi dhe me mbështetjen e sponsorit Alban Xhaferi përgatitën këngën e Vllaznisë, klipi i së cilës pritet të prezantohet mbrëmjen e sotme.

Natyrisht, që dy humbjet radhazi brenda pak ditëve, ajo me Tiranën dhe sidomos ajo e djeshmja me Teuten e luajtur në “Niko Dovana” e kanë ulur paksa atmosferën festive rreth kësaj Vllaznie që realisht ka lëshuar shumë terren këto javët e fundit.

Por, gjithsesi, këngëtari i mirëjohur shkodran, Sidrit Bejleri, gjen momentin t’i bëjë thirrje të gjithë shkodranëve që ta mbështesin këtë Vllazni, sepse sipas tij, ashtu siç i lumturoi të gjithë me fitoret e njëpasnjëshme dhe kryesimin e kampionatit deri në 9 pikë diferencë me rivalët e saj më të afërt, do të dijë të rikthehet tek fitoret e duhura për të bërë realitet ëndërrën e tifozërisë shkodrane, rikthimin e titullit kampion pas një pause rreth 20 vjeçare në Shkodër.

Më poshtë Veriu Sport, ju përcjellë të plotë mesazhin e publikuar mbrëmë vonë në rrjetet sociale nga Sidrit Bejleri

“Mirëmbrëma të gjithëve!

Dikush mund të thotë, sot e gjete të na flasësh për “Vllazninë”?!

Sot që humbi dhe me “Teutën”, pasi ka humbur me “Tironën”?!

Pas paraqitjeve të fundit që lenë për të dëshiruar?!

Po sot e gjeta, sepse “Vllaznia” nuk është vetëm “Vllaznia” e 2021.

Historia e “Vllaznisë” fillon 102 vjet më parë, që në 1919. Historia e saj nuk është vetëm një histori vlerash dhe suksesi, por mbi të gjitha një histori vullneti, djerse, sakrifice, mjeshtrie, dashnie, vllazërie dhe e një binomi të pandashëm që do të zgjasë aq sa të ekzistojë Shkodra dhe “Vllaznia”.

“Vllaznia” është e shkodranëve dhe jo vetëm. Është e yjeve të futbollit shqiptar, atyre që nuk janë më, atyre që janë me ne dhe pleqërojnë krenarë për atë që i dhuruan futbollit, është e idhujve të vogëlisë time, është e moshatarëve të mi që shtuan trofetë, është e djemve që dalin sot nën fanelën kuq e blu dhe atyre që mezi presin ta mbajnë mbi supe…

Shkurt “Vllaznia” është Histori që as nuk shitet e as nuk blihet, as nuk përlyhet e as nuk tjetërsohet sepse “Vllaznia asht dashni pa kushte”.

E duke qënë se historia 102 vjeçare nuk mund të përfaqësohet në vetëm 3 minuta, ne u munduam, pavarësisht se arkivat dhe koha në dispozicion nuk ishin në favorin tonë. Mund të gjendej një moment më i “volitshëm”, pas një fitoreje, por jo, sepse këta djem sot kanë nevojë për besim e mbështetje. Janë po ata që na bënë të ëndërrojmë pas kaq vitesh. Janë po ata që po udhëheqin prej javësh dhe talenti, fuqitë e dëshira nuk i kanë lënë akoma. Unë do i mbështes gjithmonë, siç kam bërë deri më sot. Duhet ta bëni edhe ju sepse është “Vllaznia”, djepi jonë i futbollit.

E meqe historia fillon në 1919 dhe do vazhdojë edhe pas 2021, dashtë Zoti, unë u frymëzova për këngën “Vllazni” që do prezantohet nesër me klip në ora 19:30.

Deri atëherë mbështetje, guxim e optimizëm!

Para Vllazniaaaaaa!!!”

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img