Friday, May 10, 2024

Ballkani nuk ia del, mundet në “Fadil Vokrri” 1-2 nga turqit e Sivaspor

Lexo

Sonte ishte nata e Ballkanit, kur me një fitore në “Fadil Vokrri” ndaj Sivaspor në kuadrin e Konferencë League, do të mbante vendin e parë në grup. Me një super tifozëri që kishte tejmbushur jashtë kapacitetit stadiumin e kryeqytetit Prishtinë, falë golit të shënuar në të 36-të minutë nga Thaçi, djemë e drejtuar nga trajneri tiranas, Ilir Daja, kanë  kryesuar deri në minutën e 72-të, kur turqit kanë barazuar dhe më pas me një gol tjetër të dytë kanë fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin 1-2 duke marrë kështu revanshin e ndeshjes së para një jave luajtur në Turqi dhe ku u mundën 3-4.

Referuar ecurisë së lojës, duhet thënë set, kampionia e Kosovës ka mbizotëruar në çdo aspekt dhe sidomos në gjysmën e dytë të pjesës së parë, ka synuar portën e turqve. Fillimisht është Korenica ai që provon në minutën e 22-të, ndërsa 8 minuta më pas, Rrahmani ka mundësinë e artë për të shënuar golin e epërsisë, por para portës e dërgon topin mbi shtyllën horizontale.

Në minutën e 34-të, Dellova godet fort, por portieri i skuadrës turke e devijon topin jashtë, duke shpëtuar portën e tij nga pësimi i golit të parë, që sidoqoftë vjen dy minuta më pas, kur kapiteni Thaqi gjen rrjetën me një goditje nga jashtë zonës, duke ndezur  festën në shkallët e stadiumit. Ballkani nuk ndalet dhe në 3 minutat e fundit të pjesës së parë, vjen fillimisht një tentativë e Krasniqit, i cili gjuan, por reagimi instinktiv i portierit mik shmang golin e dytë në këtë sfidë, ndërsa më pas është Jashanica që provon pa sukses nga larg dhe, në fund, Rrahmani hyn në zonë nga e majta, por pasimi i tij në qendër devijohet nga mbrojtësit e skuadrës turke që rrezikojnë autogolin.

Me epërsinë minimale të kampiones së Kosovës do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa edhe e dyta do të shohë skuadrën e Dajës të vazhdojë aty ku e la, duke ndërtuar, por edhe shpërdoruar raste të shumta, por edhe mjaft të volitshme për shënim, siç ishte ai i Krasniqit në minutën e 50-të, ai i Zybës me një goditje nga larg dy minuta më pas dhe ai i Korenicës në minutën e 62-të, por pa e mposhtur dot portierin turk.

Dhe rregulli i pashkruar i futbollit, që të ndëshkon nëse shpërdoron, do të rikthehet ta ndëshkojë skuadrën e trajnerit nga Tirana, ILir Daja, pasi Sivaspori do të nisë dalëngadalë të reagojë dhe në minutën e 72-të, Arsllan devijon me një goditje me kokë topin në rrjetën e Frashërit, duke barazuar shifrat. Dhe 9 minuta më pas, pllakos heshtja në stadiumin e Prishtinës, pasi një goditje nga jashtë zonës devijohet nga Angielski, i cili dërgon në rrjetë dhe përmbys rezultatin në 1-2.

9 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato 4 shtesë nuk sjellin ndryshim rezultati dhe Ballkani mundet 1-2 nga Sivaspori dhe, teksa e kishte nisur mbrëmjen në vendin e parë të renditjes, kampionia e Kosovës e mbylli atë në vendin e fundit të renditjes, teksa kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img