Monday, May 13, 2024

Basketboll Meshkuj-Super fitore e Vllaznisë! Kuqeblutë mundin Partizanin në “Asllan Rusi”, 72-77. Objektivi i fazës Play Off, edhe më afër

Lexo

Partizani-Vllaznia  72-77(15-11, 14-17, 20-25, 23-24)

E nisur të premten me tre ndeshjet e para, Besëlidhja-Skënderbeu(136-62), Kamza Basket-Fieri (109-72), Elbasani-Apolonia(79-98), java e dhjetë e Superligës së basketbollit për meshkuj ka vijuar mbrëmjen e së shtunës me dy ndeshjet e fundit, Partizani-Vllaznia dhe Flamurtari-Tirana.

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi dhe kolegu i tij Roni Gjeçaj, kanë realizuar një fitore të merituar dhe shumë të rëndësishme duke mundur Partizanin me rezultatin 72 me 77. Një fitore kjo që vazhdon ta mbajë skuadrën kuqeblu brenda listës së gjashtë skuadrave të zonës Play-Off.

Referuar kronikës së lojës, Partizani e nis më mirë teksa fiton periodën e parë me shifrat 15-11. Kuqeblutë kundrapërgjigjen me fitoren e periodës së dytë, 14-17, por në pushimin mes dy pjesëve, Partizani kryeson me një pikë diferencë, 29 me 28.

Rivaliteti dhe emocionet vijojnë të jenë të pranishme edhe përgjatë 20 minutave të pjesës së dytë. Me rikthimin në fushën e lojës kuqeblutë e nisin aty ku e lanë në periodën e dytë, teksa fitojnë edhe periodën e tretë. Shifrat 20 me 25 në favor të Vllaznisë në këtë periodë, jo vetëm që e barazojnë rezultatin, por e kalojnë avantazhin në anën e Vllaznisë, 49-53.

Shumë rivalitet, luftë e fortë sportive dhe emocione në periodën e katërt, e cila mbyllet me avantazhin e Vllaznisë me një pikë diferencë, 23-24. Ndërkohë, ajo që është më e rëndësishme, rezulati i të gjithë takimit, fiksohet me shifrat 72 me 77 në favor të Vllaznisë.

Për t’u theksuar është loja me rendimend e dy amerikanëve, Saab dhe Tucker, të cilët ishin pikëshënuesit më të mirë, që të dy me nga 23 pikë secili. Më tej, pikët e tjera i shënuan: Gjeçaj 13 pikë, Rakaj 6 pikë, Shabani 6, Bitri 4 dhe Anthony 2.

Një fitore kjo me aromë Play-Off-i, por që, për ta mbajtur dhe përforcuar një pozicion të tillë, duhet që edhe ndeshja e javës së ardhshme që do të luhet në Shkodër ndaj Elbasanit, të kurorëzohet me sukses.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img