Prej vitesh ka provuar sfida nga më të ndryshmet në sportin e futbollit, por mbrëmja e së dielës së 4 gushtit 2024 ishte krejt ndryshe për stadiumin “Besëlidhja” të Lezhës. Këtë radhë, emocionet i përkisnin sportit të boksit, ku në ringun e montuar pranë këtij impianti futbollistik u ngjitën dy vëllezërit kampionë, Roberto dhe Amarildo Bakaj.
Me origjinë nga Malësia e Madhe, por të rritur me familjen e tyre në qytetin e Lezhës, dy vëllëzërit Bakaj që vitet e fundit në emigrim i kanë bërë të famshëm në sportin e boksit, preferonin që suksesin e radhës të karrieres së tyre sportive ta përjetonin në praninë e tifozëve lezhjanë.
Dy sfida, njëra më e bukur se tjetra, të cilat vlenin për titujt botëror të federatave përkatëse në peshat e tyre respektive.
I pari që është ngjitur në ring ka qënë Roberto Bakaj, i cili ka sfiduar rivalin e tij kolumbian Riascos duke e bërë që ai të dorëzohet në raundin e dytë. Fitorja e 12-të radhazi kjo për Roberto Bakajn si boksier profesionist, e cila shoqërohet me fitimin e titullit “Ibo Continental”.
Pasi ka shijuar më herët suksesin e vëllait të tij Roberto, në ringun profesionist të stadiumit “Besëlidhja” është ngjitur Amarildo Bakaj, i cili edhe ai bën të njëjtën gjë duke mposhtur me “knockout” kundërshtatin e tij, ganezin Jon Mbanugu. Fitore kjo që i jep titullin botëror në federatën WBO.