Gana-Panama 1-0(shënues: Jirenki 90+5’)
Gana ka marrë një fitore dramatike 1-0 ndaj Panamasë në ndeshjen e parë të Grupit L fal një goli të shënuar në sekondat e fundit të sfidës.
Panamaja e nisi më mirë takimin dhe krijoi rastin e parë të rrezikshëm që në minutën e dytë kur Uaterman provoi të befasonte portierin Zigi por gardiani ganez reagoi në mënyrë perfekte duke shmangur golin e sigurt.
Në minutën e 33-të lojtarët e Panamasë kërkuan penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Martinez në zonë por arbitri lejoi vazhdimin e lojës.
Pak para mbylljes së pjesës së parë Gana mori një goditje të rëndë pasi portieri titullar Zigi pësoi një dëmtim në kofshë dhe u detyrua të lërë fushën duke i hapur vendin Asares.
Pjesa e dytë ishte e luftuar dhe me pak raste të pastra shënimi teksa të dyja skuadrat dukeshin të kënaqura me një pikë.
Megjithatë kur gjithçka po shkonte drejt barazimit pa gola erdhi momenti vendimtar në minutën e pestë shtesë.
Asante dërgoi një krosim perfekt në shtyllën e dytë aty ku Jirenki u gjend në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë dhe për ti dhënë Ganës avantazhin 1-0.
Panamaja u hodh menjëherë në sulm në sekondat e mbetura dhe iu afrua golit të barazimit por pa sukses.
Pas vërshëllimës përfundimtare tensioni shpërtheu në fushë ku lojtarët e të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje duke e mbyllur në mënyrë të zjarrtë një ndeshje shumë të luftuar.
Me këtë sukses Gana siguron tre pikë të arta në startin e Grupit L dhe hedh një hap të rëndësishëm drejt objektivit për kualifikim ndërsa Panamaja mbetet pa pikë pavarësisht paraqitjes pozitive dhe rasteve të krijuara gjatë takimit.
Fatos LAMAJ


