Saturday, October 12, 2024

Brdaric kërkon vetëm fitore ndaj Partizanit

Lexo

Edhe pse për kuqeblutë, barazimi në sfidën e nesërme ndaj Partizanit konsiderohet një rezultat pozitiv, pasi për vetë pikët që ka në dispozicion do ta mbante Vllazninë në pozitat komode të kryesimit të kampionatit, ndryshe mendon timonieri kuqeblu, Tomas Brdaric.

“Nuk po mendojmë për rezultatin, do ia lëmë fushës. Më intereson si do vendosemi. Lojtarët e mi e dinë që do hyjnë në fushë të japim maksimumin. Kjo ka rëndësi dhe pas ndeshjes mund t’ua them nëse më kënaq barazimi”, tha  Brdaric në konferencën për shtyp dhënë paraditen e sotme në mjediset e stadiumit “Loro Borici” të Shkodrës.

Në vijim, numri një i pankinës kuqeblu foli edhe për situatën aktuale në skuadrën kuqeblu, kundërshtarin, pretendimet për titullin, merkaton e Vllaznisë, por edhe për djalin e tij, Tim Brdaric që tashmë është bërë pjesë e kuqebluve.

“Janë kushte të tjera me Partizanin, të gjithë lojtarë janë stërvitur maksimalisht. Jemi shumë të përqendruar, pasi ndeshja është e vështirë. Do i përmbahemi parimeve tona, lojtarët kanë besim dhe janë të sigurt në vetvete. Nesër do të futemi në fushë me vetëbesim, nuk do t’i mbingarkojmë futbollistët. Do u japim mundësinë të luajnë lirshëm.

Unë mundem të flas kur bëhet fjalë për ekipin tim. Ju falënderoj që besoni në arritjen e diçkaje të madhe, siç është fitimi i titullit kampion, dhe njerëzit që na mbështesin janë gjë e bukur shumë. Duhet të jemi realistë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Do t’i marrim ndeshjet një e nga, të përqendrohemi në çdo rival e të mos hallakatemi, si dhe të ruajmë strukturën e lojës për të rritur cilësinë. Atë sistem do ta përdorim në çdo ndeshje. Siç e kam thënë më parë, ne jemi në pozicion të favorshëm. Të gjithë bëjnë merkato dhe marrin lojtarë të mirë, që ne të na ndjekin dhe të na bëjnë presion. Ne nuk kemi frikë. Rivalët nuk kanë fjetur gjumë, kanë marrë lojtarë cilësorë. Kanë edhe trajner me eksperiencë dhe të përgatitur.

Lojtarët kundërshtarë mundohen të na e bëjnë jetën më të vështirë, por duhet t’i ndalim të na shënojnë. Ne i kemi lojtarët e mirë. E di Partizani ka marrë Hasanin. Atij i duhen disa javë të marrë veten, nuk besoj të jetë gati. Po e marr vetëm si shembull. Mua nuk më intereson çfarë lojtarësh janë, por mënyra e lojës që të ndërtoj një strategji që të mos na godasin. Sa i përket merkatos së Vllaznisë, mund të them se prurjet e reja kanë nevojë për kohë, te ne dhe në skuadrat e tjera. Kemi shumë lojtarë që janë përgatitur dhe nesër besoj se do të jenë gati. Do merrem me stafin tim dhe të përgatis formacionin për nesër. Besoj se do të bëjmë maksimumin”.

Duke vijuar të flasë për ndeshjen, Brdaric tha: “Këto ekipe që i keni parë në rritje që kanë bërë merkato, po bëjnë maksimumin që të na e bëjnë jetën më të vështirë, që të ecin përpara. Ata mundohen që ne të na zbresin, por do të shohim si do të zhvillohet ndeshja. Ne i shikojmë kundërshtarët dhe u gjejmë pikët e dobëta. Ne do të luajmë njëlloj, si në çdo ndeshje”.

Në mbyllje, i pyetur nga gazetarët, nëse djali i tij, Tim Brdaric, do të jetë ne lojë, ai përgjigjet: “Ai është lojtar i ri, me perspektivë. Do ia lëmë kohës. Ai është si gjithë të tjerët, që ëndërron të bëhet futbollist. Normalisht do kohën e vet”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img