Thursday, April 25, 2024

Champions League për femra. Spektakël në Shkodër, 6 gola në 120 minuta lojë, Vllaznia kualifikohet në Turin e dytë me penallti

Lexo

Mbrëmja e së martës së 3 nëntorit ofroi momente shumë emocionuese në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Dueli i turit të parë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra në mes kampiones së Shqipërisë, Vllaznisë vendase dhe kampiones së Tuqisë, ALG Spor dhuroi spektakël. Një ndeshje që i kishte të gjitha brenda, 6 gola, kartonë të kuq, 120 minuta lojë, penallti, dhe në fund triumf për skuadrën kuqeblu, e cila kualifikohet për në Turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.

Kronika

Futbollistët kuqeblu të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij Arben Parmeza e nisin mjaft mirë takimin kur që në minutën e tetë kalojnë në avantazh me golin e shënuar nga Luçie Gjini. Avantazh që Vllaznia e ruan përgjatë të gjithë pjesës së parë duke shkuar në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me rezultatin 1 me 0 në favor të saj. 45 minutat e dyta nisin më mirë për skuadrën turke, e cila tetë minuta nga fillimi i kësaj pjese gjen golin e barazimit me autore Sejfatinova. Këtu fillojnë edhe emocionet e verteta të takimit. Pësimi i golit zgjon Vllazninë, e cila hidhet e tëra në sulm derisa gjen golin e avantazhit me të njëjtën autore si në pjesen e parë, durrsaken që luan për të tetin sezon me radhë me uniformën kuqeblu, Luçie Gjini. Kjo ndodhë në minutën e 71-të, por gëzimi i Vllaznisë zgjatë vetem dy minuta sepse është Arhan që shënon në portën kuqeblu duke barazuar shifrat në 2 me 2. Pësimi i golit të dytë, rëndon jo pak psikologjikisht Vllazninë, e cila megjithatë gjen forca për të  kërkuar një gol të tretë kualifikimi, por situata e saj rëndohet dhe më shumë kur për arsye dëmtimi të një prej futbollisteve të saj skuadra luan me një futbolliste më pak, ndërkohë që vjen edhe një goditje tjetër kur Curraj ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë e barazvlefshme me të kuqin duke e lënë skuadrën me një futbolliste më pak në fushën e lojës. Moment ky pozitiv për kampionen turke ALG Spor, e cila për hirë të së vertetes luftoi fort për ta shfrytëzuar avantazhin numerik në fushën e lojës, por koha e rregullt prej 90-të minutash e gjen rezultatin në shifrat e barabarta 2 me 2. Për të përcaktuar ekipin kualifikues duhet koha shtesë prej 2 herë nga 15 minuta. Këtu emocionet janë të pafund. 15-të minutëshi i parë nuk ka gol në asnjërën portë, por ai vjen dy minuta përpara përfundimit të shtesës së dytë, në minutën e 118-të. Shënon skuadra turke shënon me anë të Çivelek. 2 me 3 për ALG Spor dhe festa e kualifikimit në kampin turk ka filluar. Drithërima pa fund në stadium, e gjithë skuadra kuqeblu është në sulm për të gjetur golin e barazimit, topat shkojnë të gjithë formë harkimi në zonën turke. Kronometri e 120 minutave lojë ka përfunduar, gjyqtarja e takimit ka akorduar edhe dy minuta shtesë përmbi shtesë. Është fryma e fundit për vendaset, bilbili është në gojën e arbitres gati për të vërshëllyer, por lejon edhe këtë aksion të fundit, pasi topi është në harkim e sipër pas krosit perfekt të kapitenes Franja në zonën turke, aty ku ka mbërritur qëndërmbrojtësja e Vllaznisë Arbiona Bajraktari.  Mjeshtria e saj në marrjen e topit, spostim pak në të djathtë dhe goditja e menjëherë drejt portës kundërshtare tund rrjeten turke. 3 me 3, “Loro Boriçi” është ndezur i tëri me ato pak të pranishëm që janë prezent për arsye të kushteve të pandemisë, por brohoritjet për golin vijnë edhe nga jashtë stadiumit, aty ku një Shkodër e tërë e ndjekë takimin përmes transmetimit direkt të Televizionit Shqiptar. Befasohen futbollistet turke që kërkojnë ta nisin lojën me shpejtësi nga qëndra, por sapo topin e vënë në lojë, arbitrja vërshëllen mbylljen e krejt ndeshjes duke i lënë radhen penalltive për të përcaktuar fituesin.

Penalltitë, një tjetër emocion më vete…

Dy-tre minuta pushim që i shërbejnë trajnerëve për të dorëzuar listat me emrat e futbollistëve që do të godasin nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit. Trajnerët Leka dhe Parmeza duke u konsultuar edhe me presidentin e tyre Lazer Matija i besojnë Doçit, “topit të artë shqiptar” për të goditur penalltinë e parë, por fatkeqësisht gabon, pret portjerja turke. Më përpara Topçu për mikeshat ka shënuar në portën tonë duke kryesuar ALG Spor 0-1. Në goditjet e dyta, Arhan për ALG Spor gabon duke e nxjerr topin jashtë, menjëherë pas saj është kapitenia shkodrane Esmeralda Franja që shënon duke barazuar në 1 me 1. Skuadra turke gabon edhe në gjuajtjen e tretë duke e përplasur topin në traversë. Arbiona Barjaktari është fantastike me atë top që e çon në trekëndësh. 2-1 për Vllazninë. Goditja e penalltisë së katërt, radha për turkeshat që shënojnë me anë të Gylbin Hiz, barazim i përkohshëm, pasi menjëherë vjen goli tjetër i Vllazninë me të pagabueshmen Luçie Gjinin dhe avantazhi përsëri në anën e kuqebluve, 2  e 3. Penalltia e pestë dhe vendimtare, nëse skudra turke e humb Vllaznia kualifikohet duke mos patur nevojë të gjuhet e pesta për vendaset. Dhe ndodhë pikërisht kjo, kur goditja e Esen shkon mbi traverse. Tjetër shpërthim në “Loro Boriçi”, festa është e tëra kuqeblu. Vllaznia kualifikohet në turin e dytë të Liges së kampioneve të Europës. Një sukses ky i merituar i skuadrës kuqeblu ku padyshim që meritë të veçantë në këtë sukses ka edhe presidenti Lazer Matija që përpos fitimit të trofeve të njëpasnjëshëm në kampionatin shqiptar, tashmë prej shumë vitesh radhazi skuadra që ai financon është prezent në Ligen e Kampioneve ku vitin e kaluar ishte mes 32 më të mirave Europiane. Në pritje të shortit për të mësuar emrin e kundërshtarit të turit të dytë që hidhet me datë 6 nëntor në Nion të Zvicrës, objektivat e skuadrës kuqeblu janë që edhe këtë sezon ajo të ecë me të njëjtin ritem, pse jo edhe më mirë se sa viti i kaluar.    Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img