Këtë fillim javë në ambientet Institutit të Ekzekutimit të Veprave Penale të Bradasheshit ekipi i AF Elbasani zhvilloi një ndeshje miqësore me ekipin Përfaqësues të Paraburgosurve. Ndeshja e zhvilluar në kuadër të promovimit dhe rëndësisë së sportit për jetën është ndjekur me mjaft interes nga të paraburgosurit.
Ndeshja u fitua nga ekipi i burgut dhe u ndoq edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, administratori i AF Elbasan, Mariglen Çoku, Drejtori Sportiv i AF Elbasani, Elton Guranjaku si dhe drejtori i IEVP Elbasan, Altin Ago.
Kjo iniciativë promovon rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve sportive në burgje në rritjen e mirëqenies fizike dhe sociale të të dënuarve. Ndeshja miqësore mes AF Elbasanit dhe IEVP Bradashesh u gjykua nga Arbitri, Silvi Dermyshi, ndërsa verdh e blutë aktivizuan disa nga futbollistët më të mirë të tyre si Orgest Gava, Bruno Telushi, Klevis Kasa, Arsen Lleshi, sulmuesin e talentuar të Abissnet Superiore, Blaise Tsague.
Ekipi i AF Elbasanit në këtë ndeshje u drejtua nga Trajnerët Elvis Kotorri e Armand Memetaj dhe nga drejtuesit e AF Elbasani u premtua se ndeshje të tilla do të zhvillohen edhe në të ardhmen në këtë institucion .