Monday, April 29, 2024

Eleminatoret e Botërorit në Basketboll Meshkuj-Shqipëria, humbje e pafat në Armeni

Lexo

Armeni-Shqipëri 84-79

Kombëtarja kuqezi e basketbollit për meshkuj ka nisur të dielën pasdite rrugëtimin e saj në grupin C të para-eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke u mundur me rezultatin e ngushtë 79-84 në takimin e parë në fushë të huaj përballë Armenisë. Në fakt, në një akt solidariteti të jashtëzakonshëm sportiv, takimi i luajtur të dielën në Jerevan dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga RTSH Sport, ka nisur me një minutë heshtje në nderim të 16-vjeçarit Alteo Hyseni, që humbi jetën në mënyrë tragjike të shtunën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Në fakt, ndeshja ka qenë e barazpeshuar dhe 10-minutëshi i parë ka qenë i luftuar pikë për pikë dhe është mbyllur në favor të vendasve, me vetëm një pikë epërsi, 24-23. Ai i dyti ka qenë më i mirë për armenët, të cilët e fitojnë atë 24-19 dhe shkojnë kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar 48-42. Por Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj, ka dalë e frymëzuar nga dhomat e zhveshjeve, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të, 17-14 dhe duke e shkurtuar në vetëm 3 pikë, 59-62, epërsinë e vendasve pas një gjysmë ore lojë.

Madje në 10-minutëshin e 4-t, kuqezinjtë kanë qenë vetëm dy pikë prapa Armenisë, duke patur disa mundësi për të barazuar shifrat dhe për ta çuar të paktën takimin në shtesë. Por disa gabime në gjuajtjet për 3 pikë kanë bërë që skuadra vendase të përfitojë dhe ta mbyllë takimin në favor të saj, teksa e fiton 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, 22-20, dhe gjithë ndeshjen me shifrat 84-79, duke marrë edhe fitoren e parë në këtë grup, teksa të enjten ishte mundur nga Austria në fushën e kësaj të fundit.

Ky grup kthehet në nëntor me ndeshjet e tjera, teksa më datë 21, Shqipëria pret në Tiranë Austrinë, ndërsa 3 ditë më pas, Armenia i pret austriakët në shtëpi.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img