Tuesday, December 10, 2024

Emocionet e Selami Pepajt! Trajneri që fitoi 5 trofe në tre vite me Vllazninë e femrave, ndjek ish skuadrën kuqeblu në Londër, atje ku jeton prej vitesh

Lexo

Mbrëmja e 26 tetorit 2022, datë kur Vllaznia e futbollit të femrave luajti në stadiumin “Kingsmeadoë” Kingston të Anglisë ishte emocionuese për të gjithë shqiptarët. Por, më shumë se për këdo tjetër, mbresëlënëse ishte kjo natë për atë komunitet të zjarrtë shqiptar që e ndoqi ndeshjen live në stadium.

Një entuziasëm i paparë ndonjëherë në këtë stadium nga tifozëria e skuadrave mike, e cila befasoi dhe surprizoi pa fund organizatorët e ndeshjes, klubin vendas, por edhe institucionin e UEFA-s. Tifozëria shqiptare, mes të cilëve pjesa më e madhe ishte padyshim ajo shkodrane, mbështeti Vllazninë papushim, para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Emocione pa fund përjetoi në këtë ndeshje, edhe Selami Pepaj, ish trajner i suksesshëm i kësaj skuadre, me të cilin korri suksese jo të pakta. Mjafton të përmendim, që në tre vitet e drejtimit të Selami Pepajt me Vllazninë e futbollit të femrave, skuadra kuqeblu fitoi plot 5 trofe.

Zhvendosja me familjen e tij në Angli, ku jeton edhe sot, ia preu në mes karrieren sportive në Shqipëri, aty ku më herët ka luajtur futboll me disa ekipe, që nga Veleçiku, KF Shkodra dhe deri edhe tek Vllaznia, por duke drejtuar me sukses edhe ekipe moshash. Por, që tashmë pasionin e tij për futbollin e vazhdon në Angli duke trajnuar ekipe moshash, ndërkohë që djali i tij, Ergysi, po luan me sukses në futbollin londinez si pjesë e klubit Potters Bar FC, duke qënë titullar dhe golashënuesi më i mirë për ekipin e tij.

Që në momentin kur u mësua shorti Ligës së Kampioneve të Europës dhe Vllaznisë i ra të luajë në grup edhe me Çelsin, Pepaj u gëzua dhe u lumturua pa masë, pasi do të kishte rastin të ndiqte live në Londër ish ekipin që ai kishte drejtuar prej tre vitesh.

Dhe, mbrëmja e 26 tetorit, ia dha këtë mundësi. Madje, përpara fillimit të ndeshjes, ish trajneri Selami Pepaj fiksoi një foto me ekipin e Vllaznisë, ashtu si pak vite më parë kur ai shpalljej kampion me këtë skuadër.

Foto kjo kuptimplotë për ish trajnerin e kësaj skuadre, në një mbrëmje që, do të mbahet mend gjatë për professor Pepajn, të cilën ai e përshkruan në këtë mënyrë, përmes statusit të publikuar në rrjetet sociale.

“Një mramje e mrekullueshme, një mramje e pa harrume për mu, 26 tetor 2022! Ku mas plot 7 viteve, takohem me ekipin e zemres Vllaznia që shkruan historinë në futbollin shqiptar duke marrë pjesë në 16 skuadrat ma t’mira të Europës. Ekipi Vllaznia, që më dha shumë kur unë e drejtova për 3 vite radhazi. Gjithashtu do isha shumë i lumtur dhe krenar sikur dhe unë të kem vendosur dhe një gur për këtë Vllazni kampione. Urime vajzave të ekipit, Vajzave kampione. Urime stafit të mrekudhushëm të Vllaznisë, Urime familjes së Presidentit kampion Lazër Matija. Respekte për të gjithë tifozërinë kampione shkodrane për mbeshtetjen që bënë në Shkodër, gjithashtu dhe tifozërisë shkodrane që jeton në Londër dhe qytete të tjera në Angli ku e mbështeten gjatë gjithë 90-të minutave të lojës. Faleminderit, Vllaznia, suksese në vazhdimësi. Suksese dhe ty, Vllazni e Madhe e meshkujve, shpejt të pafshim dhe ty në Grupet E Champions. Faleminderit, respekte dhe për ju shokë dhe miq të mi të mrekullushem. Faleminderit të gjithëve!”, -shkruan në statusin e tij emocionues, ish trajneri kampion i Vllaznisë së femrave, Selami Pepaj.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img