Saturday, April 13, 2024

Erzeni me mungesa në transfertën e vështirë të Shkodrës, por trajneri Deliadhisi beson te surpriza për t’i marrë pikë Vllaznisë

Lexo

Ekipi i Erzenit përballet me Vllazninë sot, në orën 19:00, në një sfidë të vështirë në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndeshje e vlefshme kjo për javën e 29-t të kampionatit. Shijakasit gjatë këtij sezoni janë përballur në total 5 herë me shkodranët, duke përfshirë këtu edhe takimet në Kupën e Shqipërisë.

Erzeni ka dy barazime dhe një humbje në kampionat, ndërsa në Kupë ka regjistruar një fitore dhe një humbje. Erzeni aktualisht mban vendin e parafundit në tabelë, ndërsa Vllaznia është në vend të dytë dhe kuptohet do të jetë shumë e vështirë kjo transfertë. Për më tepër, humbjet e vazhdueshme kanë krijuar edhe ngarkesë psikologjike në radhët e shijakasve. Në këtë 90-minutësh, edhe një pikë do të ishte e vlefshme për Erzenin, duke pasur parasysh situatën që ka kaluar.

DELIALLISI – Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Alfred Deliallisi, i pyetur për gjendjen e Erzenit dhe ndeshjen me Vllazninë, u shpreh se ekipi do të luftojë me të gjitha forcat deri në fund të kampionatit për të siguruar qëndrimin në Superiore. Ai do të ketë disa mungesa të rëndësishme për ndeshjen e sotme, ku veçohet ajo e mesfushorit Kahrimanoviç. “Pushimi i fundit nga ndërprerja e kampionatit ka pasur një ndikim pozitiv në skuadër, në rikuperimin e energjive të lojtarëve. Kam punuar me ta në aspektin moral, por pa lënë pas përgatitjen tekniko-taktike. Në futboll presioni është gjithmonë i pranishëm, por ne duhet të jemi të përqendruar në lojë dhe të japim maksimumin kundër Vllaznisë. Kemi disa mungesa kyçe, siç janë Kadriu, Kahrimanoviç dhe Maliqi. Ata nuk do të jenë të disponueshëm, por gjithsesi kam një skuadër të përgatitur, që do të japë gjithçka për t’i shpëtuar situatës së vështirë që po kalojmë. Kam besim se do të shkojmë në vendin që na takon, do të qëndrojmë në Superiore. Le ta kthejmë fatin në anën tonë”, duke nisur nga ndeshja me Vllazninë”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi.

Erald DERVISHI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img