Blendi Dibra-Alban Hasani-Artan Brahimi, tre pjesëtar të stafit drejtues të Klubit të Futbollit Vllaznia gjenden prej dy ditësh në Londër për një shërbim pune në lidhje me një bashkëpunim të mundshëm me një nga klubet angleze të futbollit.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Londër, treshja në fjalë ka planifikuar disa takime me disa nga grupet e tifozëve shkodranë që jetojnë atje. Dhe, kur bëhet fjalë për grupime të tilla, natyrisht që njëri prej tyre spikat më tepër në këtë drejtim.
Bëhet fjalë për grupimin e vëllezërve Omi, Taulantit, Enkeleidit, Ridvanit, Blerim Mlloja, Zamir Ymeri, Nderim Grabolli, Fatbardh Kastrati, Art Kaca, Artan Zeneli, etj. Grupim, me të cilin treshja e kampit kuqeblu, Dibra-Hasani-Brahimi, darkoi në prag të klasikes së futbollit shqiptar duke krijuar një atmosferë entuziaste për pragsfidën në fjalë.
Mesa duket, të gjithë së bashku sa janë në foto, si dhe, edhe me shumë të tjerë shkodranë të Mbretërisë së Bashkuar, dhe të vendeve Europiane në përgjithësi, do të udhëtojnë drejt Shqipërisë, për t’iu bashkuar armatës së madhe të tifozëve shkodranë në mbështetje të ekipit kuqeblu për supersfidën, Vllaznia-Tirana, që do të luhet pasditen e kësaj të shtune në stadiumin “Loro Boriçi”.