Gjermania dhe bota e futbollit janë në zi për Gerd Mylerin, një nga sulmuesit më mirë të të gjitha kohërave dhe fitues i shumë trofeve me Bajernin e Mynihut dhe Gjermaninë, i cili u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.
Pas marrjes së lajmit të hidhur, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ka dërguar një telegram ngushëllimi drejtuesve të Federatës Gjermane të Futbollit ku i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e legjendës së futbollit gjerman dhe botëror.
“Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, do të doja të shpreh hidhërimin tonë për humbjen e Gerd Myler dhe në të njëjtën kohë t’i shpreh ngushëllimet tona të sinqerta, jo vetëm familjes së tij, të dashurve të tij, por edhe komunitetit botëror të futbollit”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij drejtuar Federatës Gjermane.
Gerd Myler ka qenë padyshim një nga futbollistët më të mëdhenj të Gjermanisë, duke shkruar historinë përmes golave dhe rekordeve. Për Bajernin, ai ka shënuar 566 gola në 607 ndeshje, duke fituar Kupën e Kampioneve për tre vite radhazi (1974, 1975 dhe 1976), ndërkohë që me Gjermaninë ka shënuar 68 gola në 62 paraqitje.
Myler realizoi dygolësh në finalen e Kampionatit Europian 1972 dhe golin vendimtar në finalen e Botërorit 1974, që u fitua nga Gjermania.