Saturday, April 27, 2024

Futboll-Superiore/ Të hënën, java e 34-t, kryendeshja Teuta-Partizani, Vllaznia pret Kastriotin në “Loro Boriçi” në orën 17.00

Lexo

Kategoria Superiore e Futbollit shqiptar po shkon drejt fundit. Të enjten u luajtën ndeshjet e javës së 33-të, javë në të cilën Vllaznia regjistroi një fitore shumë të vlefshme duke mundur në transfertë Bylisin me rezultatin 0 me 1. Ndërkohë, sipas planifikimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kategoria superiore rikthehet të hënën e ardhshme me ndeshjet e javës së 34-t.

Ndër pesë duelet e kësaj jave, natyrisht, ai që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit mes Teutës vendase dhe Partizanit mysafir konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e javës, pasi takohen kryesuesja Teuta me Partizanin e vendit të dytë.

Ndërkohë, Vllaznia e vendit të tretë luan në shtëpi duke pritur në stadiumin “Loro Boriçi” Kastriotin e Krujës. Një sfidë kjo shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, ku natyrisht kuqeblutë do të kërkojnë me ngulm tre pikët e radhës për të vijuar luftën sportive në kërkim të fitimit të titullit kampion. Fitorja në transfertë me Bylisin i ka dhënë moralin e duhur  skuadrës së drejtuar nga Brdariç, ndaj edhe në “Loro Boriçi” do të këmbëngulin të bëjnë atë që bënë edhe në fazën e tretë teksa e mposhtën Kastriotin pritës në stadiumin e Kamzës. Ndërkohë, nga ana tjetër krutanët e kanë këtë përballje për “jetë a vdekje” siç quhet në gjuhën sportive, për vetë faktin se në pozitat e vështira që gjendet skuadra në tabelën e klasifikimit, një humbje në Shkodër humb shpresat e qëndrimit në Superiore.

Dhe, për të vijuar më tej me çiftet e tjera, me interes pritet sfida që do të luhet në stadiumin “Selman Stermasi” në mes Tiranës vendase dhe Laçit udhëtues. Me barazimet e javës së 33-të, bardheblutë ndaj Partizanit dhe laçjanët me Skënderbeun, titulli për këto dy skuadra është disi larg, por më së shumti ato do të luftojnë për një vend në zonën europiane.

Dy sfidat e tjera të Superiores, Skenderbeu-Apolonia dhe Kukësi-Bylis, luhen për llogari të mbijetes, ku kryesisht gara është mes korçarëve që kanë një rritje të ndjeshme javët e fundit dhe ballshiotëve që po bëjnë të kundërtën me një seri rezultatesh negative.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img