Friday, May 3, 2024

Futbolli në zi, ndahet nga jeta në moshën 75 vjeçare, sulmuesi i famshëm gjerman, Gerd Myler

Lexo

Bota e futbollit ka marrë një lajm të hidhur, teksa të dielën në mëngjes është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare legjenda e Bajernit të Mynihut dhe e përfaqësueses së Gjermanisë, Gerd Myler. Në fakt, emri i tij është një nga kapitujt e artë të futbollit gjerman, evropian, por edhe botëror, teksa ka shënuar një numër të pabesueshëm prej 566 golash në 607 ndeshje zyrtare për Bajernin e Mynihut dhe mban ende rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar në Bundesligën gjermane, me 365, ashtu sikundër është shpallur edhe 7 herë shënuesi më i mirë i sezonit.

Për më tepër, ai ka shënuar një numër edhe më të pabesueshëm prej 68 golash në vetëm 62 ndeshje me përfaqësuesen e Gjermanisë. I mbiquajturi “Der Bomber”, iu bashkua Bajernit të Mynihut në verën e vitit 1964 dhe fitoi me të Kupën Ndërkontinentale, 3 trofe të Kupës, tanimë Ligës së Kampioneve, por edhe një trofe të Kupës së Kupave të Evropës. Po kështu, ai u shpall edhe 4 herë kampion i Bundesligës dhe po aq herë fitues i Kupës së Gjermanisë.

Me skuadrën përfaqësuese, ai fitoi titullin e kampionit të Evropës në 1972-shin dhe atë të kampionit të botës më 1974-ën, ku edhe shënoi golin e fitores në finalen e Mynihut kundër Holandës. Përtej problemeve që pati në një periudhë të turbullt me alkolin dhe jetën private, ai u rikthye të punonte si trajner i skuadrave të moshave tek Bajerni i Mynihut, ndërsa në vitet e fundit të jetës ai vuajti nga demenca. Gerd Myler ishte padyshim një futbollist i rrallë në llojin e tij dhe ndarja e tij nga jeta është padyshim një humbje e madhe për futbollin botëror.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img