Tuesday, May 7, 2024

Futbolli shkodran dhe ai shqiptar në zi. Ndahet nga jeta në moshën 77 vjeçare legjenda Ramazan Rragami

Lexo

Shkodranët dhe shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, kanë marrë pasditen e së shtunës së 15 janarit një lajm të trishtë, atë të ndarjes nga jeta në moshën 77 vjeçare të Ramazan Rragamit.

Një ditë zie kjo për futbollin shkodran dhe më gjërë, pasi Ramazan Rragami ishte një prej figurave më të spikatura të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Futbollist kampion me Vllazninë dhe Partizanin, futbollist dhe kapiten autoritar me kombëtaren e Shqipërisë, trajner po aq i spikatur i Vllaznisë dhe i kombëtares kuqezi duke u futur në histori me kualifikimin në tetë më të mirat e Europës  me ekipin Shpresa. Një jetë e tërë me sportin në plot 60 vite, pjesë e së cilës janë edhe vitet si drejtues i Klubit të Futbollit Vllaznia, për edhe në forumet drejtuese të sportit në qeverisjen vendore, pa lënë mënjanë edhe kontributet e tij të gjithashme si analist i futbollit në mediat vizive

Ndër të tjera, Ramazan Rragami spikaste edhe në jeten e tij personale familjare, ku së abshku me bashkëshorten e tij, Behijen, edhe ajo sportiste kampione, rritën dhe edukuan fëmijët e tyre shembullore. Madje, falë zgjedhjes së fëmijëve për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vitet e fundit ai u zhvendos në kontinentin tjetër ku qëndruar për shumë kohë atje.

Rikthimi në Shkodër ishte në muajin dhjetor të vitit të kaluar, atëherë ku informacioni nga të afërmit bënte të ditur se Zani ishte rënduar nga një sëmundje që e shqetësonte gjatë periudhës së fundit. Të shqetësuar për gjendjen e tij, kolegët e fushën dhe miqtë e tij më të afërt të jetës, Sabahu, Paulini, Selamia, Leka, Ismeti, Raufi, Ahmeti, dhe shumë të tjerë tentuan të ishin pranë shokut të tyre, por gjendja e tij e rëndë e bënte ta mundur takimin me Zanin, derisa pasditen e së shtunës së 15 dhjetorit mbërriti lajmi i kobshëm për ndarjen nga jeta të viganit të futbollit shqiptar, Ramazan Rragami.

Një humbje e madhe, kjo jo vetëm për familjen Rragami, por edhe për të gjithë komunitenin e futbollit shkodran dhe shqiptar njëkohësisht. Një humbje e një personaliteti të madh të futbollit shqiptar që vështirë se do të zëvendësohet nga brezat e ardhshëm.

Në nderim të figurës së Mjeshtrit të Madh, Ramazan Rragami, KF Vllaznia, së bashku me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Futbollit do të organizojnë homazhe në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”, ditën e diele, në ora 10.00-13.00.

Redaksia e portalit Veriu Sport, i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Rragami dhe mbarë komunitetit të futbollit për humbjen e kësaj legjende të futbollit shqiptar.

Lamtumirë Ramazan Rragami, pushofsh në paqe!

Gaspër MARKU

 

TROFETË E FITUARA nga Ramazan Rragami

– Në vitin 1966 do të fitonte Kupën e Republikës me ekipin e Partizanit

– Në vitin 1971 do të fitonte Kupën e Ballkanit po me ekipin e Partizanit

– Në sezonin 1971-72 do të fitonte titullin kampion dhe Kupën e Republikës me ekipin e Vllaznisë.

– Në sezonin 1973-74 shpallet kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë

KARRIERA SI TRAJNER

– Në vitet 1973- 79 ka punuar si trajner tek Vllaznia duke bashkëpunuar me trajnerin Xhevdet Shaqiri.

– Në vitet 1978- 91 trajner pranë ekipeve kombëtare, atë “Shpresa” dhe U18 duke bashkëpunuar me trajnerët Shyqyri Rreli, Petraq Ikonomi, Aurel Vërria etj.

– Në vitin 1984 kryen kursin për trajner në Coverciano (Itali).

– Në vitet 1973-2004 ka punuar si trajner profesionist, inspektor e sekretar klubi tek Vllaznia. Njëkohësisht në periudha të ndryshme ka qenë edhe anëtar i Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së.

– Në sezonin 1982-83 fiton titullin kampion me Vllazninë si trajner.

NDERIMET:

-Në vitin 1967 ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti” ndërkohë që në vitin 1974 ka marrë titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

-Në vitin 1999 është nderuar me titullin “Nderi i sportit shqiptar” dhe po këtë vit ka marrë edhe titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”.

-Në vitin 2004 është nderuar nga FSHF me titullin “Nderi i futbollit shqiptar” ndërkohë që në vitin 2019, me rastin e 100 vjetorit të klubit Vllaznia, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

– Fitues i anketës “11-shi i artë”, organizuar me rastin e 80 vjetorit të KF Vllaznia.

– Fitues i anketës “11-shi më i mirë i shekullit”, organizuar nga FSHF më 1998.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img