Përfaqësuesja e Kosovës po e përgatit në heshtje përballjen ndaj Bjellorusisë, sfida e fundit sa i përket eleminatoreve e vlefshme për Grupin I.
Një sfidë që do të luhet ditën e martë në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” e që në fakt nuk ka shumë interes për dy përfaqësueset, që janë jashtë objektivit. Dardanët zhvilluan një fushatë eleminatore për t’u harruar.
Shkarkimi i Alan Giresse nuk është se zbuti gjërat brenda ambjentit, përkundrazi, ardhja e Primozh Glihas në stol solli edhe më shumë pakënaqësi te lojtarët. Edon Zhegrova apo Amir Rrahmani, shfaqën pakënaqësi ndaj teknikut slloven, dy nga lojtarët më kryesorë nuk u grumbulluan për sfidat me Zvicrën dhe Bjellorusinë.
Në orën 17:00 Primozh Gliha do të mbajë konferencën për shtyp, ndoshta e fundit për teknikun slloven në stolin e Kosovës, pasi kritikat për të janë shtuar, si në skuadër ashtu edhe në opinionin sportiv. Duhet thënë gjithashtu, se në këtë përballje ka një interesim të pakët nga ana e tifozëve.