Sunday, May 19, 2024

(Intervista) Auron Miloti: Vllaznia kampione, nëse nuk ka dëmtime! Ish trajneri i Vllaznisë, sot drejtor i sporteve në Bashkinë Shkodër, beson shumë te suksesi i kuqebluve

Lexo

Auron Miloti ish-zëvendëstrajneri i Vllaznisë në kohën kur skuadrën e drejtonte tekniku aktual Thomas Brdariç në një intervistë të tij për “Panorama Sport”, ka folur për situatën në klubin shkodran.

Mbi të gjitha mbi atë që pret nga tekniku Brdariç dhe nga skuadra në fund të këtij sezoni. Ai ka analizuar kryesisht për përballjen e nesërme ndaj Tiranës. Si një “ish” i të dy skuadrave pret përherë një “klasike” të fortë. Milori dëshiron që në katërshe përkrah Egnatias, Vllaznisë e Partizanit të shohë edhe Tiranën.

Si e shihni përballjen mes Tiranës e Vllaznisë, takim që edhe për ju sjellin emocione të veçanta?

Ndeshja me Tiranën të sjell gjithmonë emocione si brenda, ashtu edhe jashtë fushe. Për futbollin shqiptar është ndeshje ku cilësitë e çdo lojtari shfaqen në nivelet më të lartë. Është një ndeshje ku edhe emocionet jashtë fushe janë po aq të forta, sepse kanë edhe historinë brenda. Aq më tepër për një njeri si unë që i ka provuar brenda në fushë duke luajtur me të dy ekipet. Përballja mes tyre nuk njeh renditje dhe pikë, por mbetet përherë një “klasike” e madhe e futbollit shqiptar.

Vllaznia luan për të ruajtur vendin e dytë, por edhe për të përfituar nga një gabim i Egnatias mund të synojë edhe të parin, ndërsa Tirana luan shanset e fundit për katërshe, kë shikon më të favorizuar në këtë takim?

Vllaznia është në një vend komod, sepse e ka realizuar objektivin minimal hyrjen në “Final 4”, kurse Tirana është në një vend jo të mirë, sepse po lufton për të realizuar objektivin minimal hyrjen në katërshe. Përtej këtyre objektivave ndeshja midis këtyre skuadrave nuk ka pasur asnjëherë favorizues. Është ndeshje që edhe pse në renditje nuk janë në pozicione të njëjta në fushë s’ka pasur asnjëherë favorizues.

Një Tiranë në katër më të mirat e zbukuron më tej garën për titull?

Nëse Tirana e realizon objektivin minimal “Final 4”, ky kampionat bëhet edhe më i bukur si brenda fushe, por edhe jashtë saj me tifozëritë që kanë këto ekipe. Do të thotë që ndeshjet të sjellin më shumë emocion te sportdashësit e futbollit.

Në krye të Vllaznisë është rikthyer miku juaj tekniku Brdariç, besoni se do ta sjellë titullin në Shkodër atë që e humbët vetëm në saj të golaverazhit tre vite më parë?

Është e vështirë në këtë pak kohë që ai ka në dispozicion të thuash që do të sjellë titullin që ne po presim në Shkodër. Por ne shpresojmë që ai së bashku me lojtarët që ka ta bëjnë realitet këtë gjë.

Çfarë mendoni duke e njohur punën që bën tekniku Brdariç te kjo skuadër?

Së pari, dua ta falënderoj punën që bëri ish-trajneri Qatip Osmani në atë kohë. Së dyti, trajneri Brdariç ka kohë të shkurtër për të realizuar ato mendime qe ai ka. Nga ana tjetër, duke parë lojtarët që ai ka në dispozicion mendoj që ka më të lehte për të realizuar objektivin maksimal që ka klubi. “Final 4” ta jep këtë mundësi, shpalljen kampion me vetëm dy takime direkte.

Sa i jepni shanse Vllaznisë për titull kur duhet se gjithçka varet nga takimet teke?

Çdo ekip që është në katërshe ka shanse për t’u shpallur kampion. Nëse Vllaznia në këto ndeshje nuk ka dëmtime dhe vazhdon me këtë rritëm atëherë shanset për të dalë kampion janë të larta.

Cila skuadër mendoni ju se është më afër këtij trofeu, nisur nga ajo që kanë treguar deri tani?

Skuadra që ka bërë më mirë deri tani për mendimin tim ka qenë Egnatia. Ka bërë një futboll që mua personalisht më ka pëlqyer shumë. Unë si shkodran shpresoj që Vllaznia të dalë kampione. Atë titull që jo vetëm unë, por çdo shkodran e pret prej shumë e shumë vitesh.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img